REGJISTRIMI I POPULLSISË. Lojëra politike me statistikën

Opozita maqedonase e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja kërkon që regjistrimi në vend se në vitin 2020, të mbahet në vitin 2021, ndërsa LSDM-ja në pushtet dhe analistët këtë kërkesë e konsiderojnë si lojë politike. Partitë shqiptare nga ana tjetër thonë se shumë e rëndësishme është që procesi nga statistikor të mos marrë konotacion politik ose etnike

Destan JONUZI

Shkup, 12 shtator – Jo vetëm, Ligji për Prokurorinë Publike, pushteti dhe opozita maqedonase në Maqedoninë e Veriut nuk arrijnë të merren vesh edhe për Ligjin për Regjistrimin e Popullsisë Dallimet janë për kohën se kur do të mbahet ky operacion statistikor dhe kush do ta udhëheq këtë proces. Sipas propozim Ligjit të propozuar nga Qeveria është paraparë që Regjistrimi i Popullsisë të mbahet gjatë muajt prill të vitit 2020, ndërsa është planifikuar edhe buxhet prej 8.5 milionë euro, shkruan gazeta KOHA.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE-ja opozitare kërkon që ky proces të shtyhet për në vitin 2021, me qëllim, siç thonë nga kjo parti që të bëhen përgatitjet e duhura teknike në përputhje me dispozitat dhe rekomandimet e Eurostatit.

PËRPLASJET E LSDM-VMRO RRETH REGJISTRIMIT

pozita maqedonase e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja kërkon që Regjistrimi në vend se në vitin 2020, të mbahet në vitin 2021. Nga kjo parti po ashtu insistojnë që më krye të këtij procesi të mos jetë drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës, port ë formohet një trup i pavarur i përbërë nga përfaqësues të Entit të Statistikës, ekspertë, përfaqësues të Odave Ekonomike, Banka Popullore etj. Sipas kësaj partie është shumë me rëndësi që në Ligjin e propozuar të definohet popullsia rezidente, të dhënat e mbledhura të shënohen në letër, jo në formë elektronike ashtu siç propozohet, ndërsa në materialin e regjistrimit të nënshkruhet edhe regjistruesi edhe i regjistruari (qytetari). Opozita maqedonase po ashtu kërkon që në një lokacion të shkojë më shumë se një regjistrues.

“Regjistrimi nuk mund që të bëhet duke u bazuar vetëm në numrin amë, por duhet të bëhet me dokumente relevante, letërnjoftim, pasaportë apo certifikatë lindje dhe të precizohet se kush mund të jap të dhëna për personat që janë jashtë shtetit, të mos mund që këtë ta bëjnë fqinjët e lagjes apo shoqëria, por të precizohet se kush nga anëtarët e familjes dhe deri në cilin brez mund të jep të dhëna. Detyrimisht duhet që të precizohet se cila do të jetë përfshirja e popullatës rezidente sipas rekomandimeve të Eurostat “, thonë nga VMRO-DPMNE. Nga atje shtojnë se do të ishte zgjidhje e mirë që në vitin 2021 të mbahet Regjistrim përgatitor, por nëse pranohen vërejtjet e tyre, janë të gatshëm që Regjistrimi të mbahet në vitin 2020.

Regjistrimi nuk është operacion politik por statistikor, thonë nga LSDM-ja, të cilët e akuzojnë VMRO-DMPNE që po tenton që edhe njëherë ta bllokojë procesin e Regjistrimit. “Për dallim nga Regjistrimi i dështuar në vitin 2011, tani përgatitjet e përgjithshme për organizmin e Regjistrimit janë profesionale dhe transparente, sipas të gjitha standardeve dhe në këtë proces është i kyçur edhe EUROSTAT-i”, thonë nga LSDM.
Edhe analistët vlerësojnë se kërkesa e VMRO-DPMNE-së që të shtyhet mbajtja e Regjistrimit të Popullsisë për një vit është me motive politike dhe nuk asgjë të përbashkët me procedurat dhe rekomandimet e Eurostatit. Analisti, Erol Rizaov vlerëson se kjo kërkesë është lojë politike.

“Lojë politike, nuk ka fare të bëjë me standardet e Eurostatit. Regjistrimi si operacion më i madh për planifikimin e zhvillimit të mëtejmë të shtetit është bllokuar në përqindje. Të drejtat e një komuniteti nuk mund të përcaktohen në numër dhe ato ti merren. Pavarësisht se kush sa është në përqindje të drejtat e dhëna nuk mund të kthehen. Elita politike duhet të dakordohet që pavarësisht rezultateve të regjistrimit këto te drejta të garantuara me Kushtetutë të mos preken, madje edhe të punohet edhe për avancimin e tyre”, deklaroi për gazetën KOHA, Eroll Rizaov, analist.

PROCES PA IMPLIKIME POLITIKE

Për Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), propozim Ligji është i pranueshëm dhe mbështet. “Do të presim të shohim se për çfarë do të dakordohet LSDM dhe VMRO-DPMNE, ndërsa më pas do të ndërtojmë qëndrimet tona në bazë të vërejtjeve të tyre”, thonë nga BDI.

Ndërsa, nga Aleanca për Shqiptarët (ASH) vlerësojnë se çështja e regjistrimit të popullsisë varet nga koha e mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. “Çështja e regjistrimit përfundimisht do ta varet nga koha zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, të cilat nuk dihet ende kur do të mbahen, dhe nuk dihet nëse do të jenë të rregullta ose të parakohshme. Ne si subjekt politik, jemi deklaruar se Regjistrimi do ishte mirë të mbahet në verë kur edhe mërgata ndodhet në Maqedoninë e Veriut, me ç’rast ky regjistrim do të ishte treguesi më i drejtë i numrit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut. Si subjekt politik, kemi përsëritur idenë, se për çështje të kësaj natyre duhet të vendosin subjektet politike relevante ne vend, si ato te pozitës por edhe të opozitës se bashku me ekspert të fushave të caktuara, duke krijuar një konsensus, të gjerë politik”, deklaroi për KOHA, Flakron Bexheti, zëdhënës i ASH-së.

Për Lëvizjen BESA të Bilall Kasamit shumë me rëndësi që është procesi i regjistrimit të mos ketë implikime politike. “Për ne e rëndësishme është që procesi i regjistrimit të mos ketë implikime politike. Lëvizja BESA ka theksuar disa herë se të drejtat politike të shqiptarëve duhet të jenë të lidhura me shtetësinë e qytetarëve dhe jo në bazë të regjistrimit të popullsisë”, deklaroi Elmedin Memishi, zëdhënës i Lëvizjes BESA.

MODELI I KOMBINUAR

Sipas, propozim Ligji për Regjistrimin e Popullsisë që tanimë është në procedurë parlamentare parasheh metodologji të kombinuar gjatë zbatimit në teren të procesit të Regjistrimit. Do të shfrytëzohen të dhënat nga regjistrat e institucioneve dhe do të grumbullohen të dhëna nga tereni. Risi në Ligj është që gjatë grumbullimit të dhënave regjistruesi (anketuesi) do të ketë me vete laptop, i cili do të ketë të instaluar aplikacion të veçantë, ndërkohë që regjistrimin e popullsisë dhe amvisërive do ta bëjnë në shtatë gjuhë. Do të regjistrohen qytetarë të cilët kanë vendbanim të përhershëm në Maqedoninë e Veriut, pavarësisht se ku ndodhen në momentin e zhvillimit të Regjistrimit në vend apo jashtë.

Në regjistrim do të përfshihen edhe shtetas të huaj të cilët në momentin e këtij procesi statistikor ndodhen në Maqedoninë e Veriut. Ligji parasheh që të mbetet rubrika etnike dhe të regjistrohen edhe qytetarët të cilët më shumë se një vit nuk ndodhen në vend. Ndërkaq, ata qytetarë të cilët përkohësisht qëndrojnë apo punojnë jashtë vendit, do të mund të regjistrohen nga 15 deri 1 mars të vitit 2020, në një aplikacion të veçantë që do të jetë i qasshëm për to në ueb faqen e Entit Shtetëror të Statistikës, ose të njëjtit do të mund ti regjistrojnë familjarët e tyre të cilët kanë qëndrim të përhershëm në vend.

Regjistrimin e organizon dhe zbaton Enti Shtetëror i Statistikës, e jo si deri më tani Komision i veçantë për Regjistrim në të cilin anëtarë ka pasur edhe nga spektri politik, ndërkohë që ekipin Entit Shtetëror të Statistikës do ta përbëjnë ekspertë. Herën e fundit Regjistri I Popullsisë në Maqedoninë e Veriut është mbajtur në vitin 2002, ndërsa Regjistrimi i vitit 2011 edhe pse fillojë rezultojë të jetë i dështuar. (koha.mk)