“Virusi” tjetër më i rrezikshëm për regjistrimin e popullsisë, pas atij që shkaktoi pandemia, besueshmëria e tij, sepse asnjë aktor nuk i beson tjetrit, prandaj, pas gjetjes së vaksinave për Kovid-19, mrekullia tjetër më e madhe do të ishte realizimi me sukses i një operacioni statistikor, të cilit do t’i besonin të gjithë
Nga Daut DAUTI
Nëse për diçka duhet t’ia pranojmë kësaj qeverie, e sidomos kryeministrit Zaev, padyshim kjo duhet të jetë guximi. Guximi me të cilin ballafaqohet me problemet më të rënda. Kështu veproi me marrëveshjen për ndërrimin e emrit, kështu veproi edhe me marrëveshjen me Bullgarinë (me të cilën tash ka telashe, jo me fajin e saj!), kështu veproi edhe me ligjin për përdorimin e gjuhës, ku lista e të merituarve është paksa më e gjerë se vetë partitë në koalicion… Kështu është edhe me gatishmërinë për ta bërë një regjistrim të popullsisë, pas atij të ndërprerë në vitin 2011, kur gjithçka është kundër tij që të përfundojë. Jo të përfundojë me sukses, sepse suksesi do të matet sipas “kënaqësisë” së palëve të interesuara, por fare të mbahet! Sepse, nuk është lehtë të organizosh një operacion aq të madh statistikor pa pasur kushte të mirëfillta. Një varg faktorësh i qëndrojnë si shpatë Demokleu.
MOSBESIMI
Doemos që faktori i parë dhe kryesor që do të determinojë regjistrimin, është çështja e besueshmërisë. Historia e dështimit të regjistrimit të kaluar, mund të përsëritet falë pikërisht mosbesimit. Ende ka mbetur enigmë përse është ndërprerë regjistrimi, sepse spekulimet kanë qenë baras me teori konspirative dhe krejtësisht të kundërshtuara, varësisht kush i ka bërë. Për palën maqedonase, regjistrimi është ndërprerë për shkak se regjistruesit shqiptarë kanë alarmuar për mospërfshirje të madhe të shqiptarëve, që ka rrezikuar përqindjen “e fryrë” të regjistrimit paraprak kur shqiptarët dolën 25 për qind. Por, ndryshe e kanë arsyetuar shqiptarët: shkak i vërtetë i ndërprerjes janë ulja e numrit në mjediset maqedonase. Një gjë të këtillë e kanë pohuar edhe politikanë maqedonas si Tito Petkovski e Lubço Georgievski, sipas të cilëve Gruevski ka qenë ai që e ka ndërprerë shkaku se në Maqedoninë lindore ka dalë më i vogël numri i banorëve për një qytet të tërë!
Pavarësisht këtyre dilemave të pasqaruara, një pjesë e mirë e publikut maqedonas, qarqe politike e mediale, vazhdojnë ta “kujtojnë” regjistrimin e 2002-tës, ku rritjen nga 23 në 25 për qind, ia referojnë 150.000 kosovarëve që qeveria e atëhershme(LSDM-BDI) u paska dhënë shtetësi! Kjo merret si kallëp duke harruar se po këtë shifër si “problem serioz të Maqedonisë” e ka pas përmendur lideri i VMRO-DPMNE-së në promovimin e kësaj partie që në vitin 1991!Këto qarqe as që duan të dëgjojnë se kjo është bërë një këngë tralala që e përsërisin në çdo kohë. Edhe atëherë ishte harruar se kosovarët nuk kishin ardhur nga një shtet në shtet tjetër, por brenda shtetit të Jugosllavisë, por duke harruar një fakt edhe më të rëndësishëm, se, së pari numri me të cilin manipulohej ishte i diskutueshëm si i tillë, por dhe irelevant nga ana tjetër: sepse më shumë shqiptarë kishte që kishin shkuar nga Maqedonia për Turqi, se sa që kishin ardhur nga Kosova.
Po si “u zhvendosën” në pikëpamje kohore nga ish-Jugosllavia këta shqiptarë në pluralizëm, për të krijuar një narativ sikur dikush vërtet dhe masovikisht u ka dhënë shtetësi gjoja për ta rritur përqindjen për shkak të Marrëveshjes së Ohrit? Kjo për VMRO-në ka mbetur një objekt manipulimi sot e kësaj dite. Ndaj dhe vërejtjet që vijnë edhe për ligjin në procedurë, i kanë për bazë ato 15-17 përqindë supozuar të Karakamishevave, Mirka Velinovskave të famshme, me të cilat mediat pro-VMRO-iste kanë krijuar percepcion të rremë. Harrojnë se qysh në regjistrimin e 1980-tës, shqiptarët kanë përbërë 20 për qind të popullsisë, në një regjistrim të dyshimtë ku janë vonuar rezultatet pothuajse një vit. Duket se është shumë e logjikshme që një popull që ka pasur natalitet më të lartë për 25 vjet nga 20 të jetë rritur në 25 për qind. Prandaj, loja me shifra duhet të kishte pushuar kaherë, sepse askush nuk u ka dhënë 150 mijë kosovarëve shtetësi në vitin 2002 vetëm për ta rritur përqindjen (bile për moshat më të reja, ato i prezantojnë sikur të kenë ardhur nga Kosova pas konfliktit të vitit 2001!!!), sepse sa i përket “bujarisë” së shtetit ndaj disa qytetarëve me origjinë nga Kosova, tregon fakti se ende mijëra qytetarë nuk po e marrin shtetësinë. As mbi dy dekada e gjysmë pas ligjit problematik, ende i trajtojnë si “elemente të rrezikshme” për shtetin, një arsyetim anakronik i llojit të vet, edhe pse askujt nuk ia turbullojnë ujin!
Nga ana tjetër, shqiptarët gjithë regjistrimet pas vitit 1990 i kanë problematizuar, për shkak të mosbesimit ndaj institucioneve dhe ato në vitet 90-të kanë qenë pjesërisht edhe të bojkotuara. Kulmi ndoshta është arritur në regjistrimin e kaluar, të ndërprerë, kur ka pasur edhe probleme e obstruksione të ndërsjella midis vetë regjistruesve shqiptarë ose maqedonas, të cilët kanë qenë “supervizorë” të njëri tjetrit, por vetëm në mjediset shqiptare. Kjo nuk ka qenë në mjediset maqedonase, ku nuk ka pasur regjistrues “të përzier”.
Sivjet në çështjen e regjistrimit është ndërlidhur edhe kërkesa e Bullgarisë që të regjistrohen edhe bullgarët, duke pretenduar se mbi 80 mijë shtetas që kanë marrë pasaporta bullgare, duhet të deklarohen si të tillë.
KUSHTET OBJEKTIVE
Një varg kushtesh obektive, poashtu mund të ndikojnë në dështimin e regjistrimit, siç janë faktorët vijues:
PANDEMIA: Në kushte pandemike, zgjedhjet e fundit patën jehonë më të ulët se zakonisht, e si më rast eklatant janë zgjedhjet lokale në Shtip, ku mezi u kalua pragu prej 30 për qind për të qenë valide. Paramendoni një grup prej dy a tre vetash të ju vijnë në shtëpi duke qëndruar më shumë se gjysmë ore, duke marrë në dorë dokumentet tuaja personale, duke ndenjur afër me ju. Nuk është njësoj sikur me zgjedhjet kur për dy tre – minuta e kryen votimin dhe shkon në shtëpi.
MIGRIMI/MUNGESA E NJERËZVE NËPËR SHTËPITË E TYRE: nëse ka një indikator nga regjistrimi i kaluar, ai për të cilin këta të paudhët e PSP-së akuzuan dy liderë për ndërprerjen e tij, është problemi në terren i regjistruesve, të cilët nuk kanë mundur t’i gjejnë njerëzit nëpër shtëpitë e tyre, sidomos nëpër fshatra. Si do t’i regjistrosh njerëzit që pas heqjes së vizave kanë kërkuar punë në vendet perëndimore, nëse nuk ke në shtëpi të paktën një familjar që do të mund të informonte për anëtarët tjerë që janë në perëndim? Ky numër i munguar nuk dihet sa mund të jetë dhe nuk ka asnjë mundësi objektive që të përfshihet në regjistrim edhe sikur ai të bëhet, siç janë bërë zgjedhjet, edhe në vendet përkatëse ku kemi të emigruar ose në punë “të përkohshme”, që për mbi 90 për qind të tyre është rrugë e pakthim, edhe sikur të kishe mundësi ta futje në rubrikat e regjistrimit.
Çështja e të emigruarve, ka enigmën tjetër prapa, kush ka shkuar në perëndim më shumë, shqiptarët apo maqedonasit? Nëse fshatrat e zbrazura ose pa rini në pjesët lindore të Maqedoninë kanë qenë prezente shumë më herët, te mjediset shqiptare është bërë trend i 10-15 vjetëve të fundit. Se kjo mungesë e njerëzve nëpër shtëpitë e tyre a e prish balancën etnike të deritashme, duhet parë.
Ka mbetur e shënuar një pohim i para dhjetë viteve se në Tetovë me rrethinë, për 15 ditët e para të regjistrimit(pastaj u ndërpre), kishin mundur të regjistrohen vetëm 15-20 për qind e qytetarëve? Sa do të duheshin kësaj radhe përveç atyre 30 ditëve të parapara që të përfshihen të gjithë qytetarët? Apo, ironikikisht, mungesa e madhe do të lehtësojë punën e regjistruesve dhe do të kryhet më shpejtë?!
MODELI STATISTIKOR DHE KRITERET E EUROSTAT-it: ndoshta pika kryesore e kontestimeve është modeli i regjistrimit. Një model që i pëlqen një pale (etnike), mund të mos i pëlqejë palës tjetër. Numri i madh i amendamenteve për ligjin, dëshmon se hapi i parë është të rrumbullakësohet modeli, ku për fat të keq, ndoshta shqiptarëve nuk u përshtaten edhe kriteret e EUROSTAT-it, sidomos për personat jo rezidentë, që punojnë jashtë vendit.
Çka të thuhet tjetër. Për hair na qoftë regjistrimi në prill. Një regjistrim pandemik, ku virusi tjetër më i rrezikshëm për të, pas atij që shkaktoi pandemia, është besueshmëria, sepse asnjë aktor nuk i beson tjetrit. Duke i pasur parasysh të gjitha, pas gjetjes së vaksinave për Kovid 19-shin, mrekullia tjetër më e madhe do të ishte përfundimi me sukses i një operacioni statistikor të cilit do t’i besonin të gjithë.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)