Regjistrimi që duhet të mbahet nga 1 deri në 20 prill të vitit të ardhshëm do t’i përfshijë personat në shtet dhe ato që janë jashtë vendit. Si edhe në operacionin statistikor të mëparshëm do të ketë edhe grafë për karakteristikat etnike-kulturologjike dhe religjioze, informoi sot drejtori i Entit Shtetëror për Statistikë Apostoll Simovski.
Sipas Propozim-ligjit për regjistrim të popullatës, amvisërive dhe banesave i miratuar në seancën e djeshme të Qeverisë, për herë të parë të dhënat do të grumbullohen me të ashtuquajturin metodë të kombinuar, gjegjësisht me regjistrim klasik në terren dhe me të dhëna nga regjistrat.
“Me propozim-ligjin definohen të gjitha hapat të cilat ndërmerren për miratimin e këtij operacioni statistikor. Ky do të jetë operacion statistikor profesional jashtëzakonisht strikt. Me regjistrimin do të grumbullohen të dhënat për karakteristikat gjeografike dhe demografike, ekonomike, arsimore, të migrimit, etnike-kulturologjike dhe karakteristikat religjioze dhe karakteristikat e dedikuara për personat me nevoja të veçanta. Krahas të dhënave për personat do të grumbullohen edhe të dhëna për amvisëritë, familjet, si dhe për banesat dhe ndërtesat”, tha Simovski.
Kjo duhet të mundësojë edhe të dhëna më cilësore dhe më të shpejta, theksoi Simovski, duke theksuar se zgjidhja aplikative që do të përpunohet për zbatimin e regjistrimit do ta eliminojë mundësinë për regjistrim të dyfishtë ose të shumëfishtë. Do të mundësohet kontroll i të dhënave jologjike, gjegjësisht gabimeve. Personat të cilët nuk gjenden në shtet do të munden që të regjistrohen përmes ueb aplikacionit të posaçëm me regjistrim paraprak në të me qëllim ruajtjen e të dhënave.
Sipas Simovskit, rezultatet e para të regjistrimit priten për gjashtë muaj pas zbatimit të tij. I gjithë operacioni statistikor, që zbatohet pas 16 viteve, do të kushtojë 8,5 milionë euro.
Në regjistrimin e popullsisë, amvisërive dhe banesave do të angazhohen rreth 6.000 persona, prej të cilëve 5.000 regjistrues, 500 instruktorë rajoni, 200 instruktorë shtetërorë dhe anëtarë të komisioneve të regjistrimit.
I gjithë territori i shtetit do të jetë i ndarë në 45 rajone regjistrimi. (koha.mk)