Viteve të fundit, fokusi i Sektorit për arsim në Tetovës por edhe i Komunës ka qenë që nxënësit sa më shumë të orientohen në shkollat profesionale, respektivisht në shkollën e mesme të bujqësisë dhe shkollën e mesme tekstile
Urim HASIPI
Tetovë, 20 maj – Nga një qershori do të fillojnë regjistrimet e fëmijëve në klasë të parë në shkollat fillore të Tetovës. Regjistrimet e fëmijëve ishin paraparë që të realizoheshin në muajin maj, por për shkak të situatës me koronavirusin do të fillojnë në qershor dhe do të zgjasin 15 ditë. Nga Komuna e Tetovës thonë se i kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që të fillojnë të pranojnë nxënësit në klasë të parë. Varësisht se si do të jenë rekomandimet e autoriteteve qendrore për të filluar vitin shkollor, nga Sektori për arsim thonë se do të jenë të gatshëm për veprim, duke shtuar se kanë bërë të gjitha dezinfektimet dhe dezinsketimet e shkollave, bankave dhe karrigeve por edhe pajisjeve tjera shkollore.
Në Tetovë, 12 shkollat fillore në qytet dhe në fshatrat e Komunës së Tetovës do të pranojnë rreth 1200 fëmijë në klasë të parë. Shkollat fillore të Tetovës tashmë i kanë marrë masat për pranim të nxënësve. “Shkollat janë të gatshme që të pranojnë fëmijët, janë krijuar komisionet që do të bëjnë regjistrimet, janë rregulluar edhe hapësirat ku do të mësojnë ata dhe shpresojmë se do të kemi numër të mjaftueshëm të fëmijëve në klasë të parë. Numri fëmijëve që duhet të regjistrohen në klasë të parë është rreth 1200”, thotë udhëheqësi i Sektorit për arsim në Komunën e Tetovës, Ahmed Qazimi.
Prindërit do të duhet vet që të bëjnë regjistrimin e fëmijëve nëpër shkollat fillore të Tetovës. Nuk kemi ndonjë rregullore për regjistrimin e nxënësve, kurse shkollat janë të gatshme që të pranojnë nxënësit. “Në rrjedhë e sipër është fushata që realizohet nëpër shkollat fillore ku promovohen shkollat e mesme, normalisht në mënyrë online janë realizuar fushatat, tashmë komisionet janë formuar dhe jemi të gatshëm që të fillojmë me regjistrimet edhe nëpër shkollat e mesme. Dokumentet po ashtu duhet që të dorëzohen personalisht por nëse ka ndonjë ndryshim do të njoftojmë nxënësit”, tha Qazimi.
Po ashtu në qershor fillojnë regjistrimet edhe në shkollat e mesme të Tetovës. Numri i semimaturantëve në Tetovë është rreth dy mijë, kurse gjithsej ka vende të lira për regjistrim në shkollat e mesme 3780. Sipas drejtuesve të Sektorit për arsim në Tetovës, është paraparë që në një klasë të pranohen maksimum 34 nxënës, kurse numri i atyre që përfundojnë shkollimin e mesëm në Tetovë është rreth dy mijë. Në Tetovë momentalisht janë 7 shkolla të mesme, të cilat pranojnë numër të mjaftueshëm të semimaturantëve. Viteve të fundit, fokusi i Sektorit për arsim në Tetovës por edhe i Komunës ka qenë që nxënësit sa më shumë të orientohen në shkollat profesionale, respektivisht në shkollën e mesme të bujqësisë dhe shkollën e mesme tekstile. Por edhe krahas shumë aktiviteteve që nxënësit sa më shumë të orientohen në drejtime profesionale, megjithatë interesimi më i madh i nxënësve është që të regjistrohen në gjimnaz dhe në mjekësi, ku zakonisht në afatin e parë plotësohet numri menjëherë me semimaturantë. (koha.mk)