Shkup, 14 korrik – Në një pjesë të bulevardit “Aradhet partizane” në Shkup sot do të vihet regjim i përkohshëm i komunikacionit për shkak të zbatimit të punimeve ndërtimore, përcjellë KOHA.
Siç kumtoi Qyteti i Shkupit, për shkak të shtrimit të shtresës përfundimtare të asfaltit në një pjesë të trasesë së bulevardit “Aradhet partizane” nga ura “Kombet e Bashkuara” deri në rr. “Moskovska”, tërësisht i mbyllur për trafik do të jetë pjesa e bulevardit tek qarkorja në Porta Vllae deri në udhëkryqin me rrugën “Moskovska” (tek QT “City Mall”), në drejtim të lëvizjes nga Gjorçe Petrov drejt Qendrës. Nëpër trasenë në drejtimin e kundërt komunikacioni do të zhvillohet pa pengesa.
“Regjimi i përkohshëm do të realizohet nëse këtë e mundësojnë kushtet e motit për zbatimin e asfaltimit, ndërsa do të jetë në fuqi deri në përfundimin e aktiviteteve ndërtimore”, thuhet në kumtesën e Qytetit të Shkupit. Gjatë regjimit të përkohshëm, autobusët e NPQ “Shkup” që qarkullojnë nëpër këtë pjesë të bulevardit “Aradhet partizane” do të riorientohen përmes rrugës “Adolf Ciborovski” dhe bulevardin “Mitropolit Teodosij Gologanov”, ndërsa do të kthehen në trasenë normale përmes rrugës “Moskovska”.
Asfaltimi bëhet në kuadër të projektit për rikonstruimin e rrugës në një pjesë të bulevardit “Aradhet partizane”, në shtrirje nga udhëkryqi me bulevardin “8 Shtatori” deri tek ura “Kombet e bashkuara”, në gjatësi prej dy kilometrash.(koha.mk)