Gasperini: Gomez refuzoi t’u përshtatet ndryshimeve

16

Atalanta triumfoi me rezultatin e thellë 1-4 në transfertën ndaj Benevensot, ndërsa ish kapiteni Papu Gomez i la sërish jashtë skuadrës, në pritje për të gjetur një tjetër klub ku të vijojë karrierën, pasi ka prishur çdo marrëdhënie me bergamaskët. Në përfundim të transfertës me Beneventon, trajneri Gian Piero Gasperini foli për herë të parë për motivet e krisjes me atë që ishte kapiteni dhe lideri i Atalantës për vite të tëra, teksa ia faturoi gjithçka një ndryshimi taktik.

“Nga ana ime ishte thjesht një zgjidhje taktike. Po vuanim shumë dhe doja të ndryshonim diçka, por Gomez thjesht nuk u përshtat në ato momente. Mesfusha vuante shumë dhe doja të gjeja një zgjedhje taktike, që të lehtësoja disi De Roon dhe Freuler. Një gjë të tillë e patëm bërë edhe më parë, por këtë herë Gomez nuk e pranoi”, tha Gasperini.

Fantazisti argjentinas vijon të stërvitet me Atalantën, por nuk grumbullohet prej javësh dhe është në pritje për t’u larguar gjatë merkatos së janarit. Disa klube në Serinë A janë gati t’i hapin derën Gomezit, por pretendimet e Atalantës për 10 milionë euro, i kanë stepur thuajse të gjithë.