Njohës të futbollit kosovar shumë shpesh vlerësojnë se Kosova njihet më shumë për prodhimin e lojtarëve sulmues. Fëmijët kosovarë zakonisht ëndërrojë që të luajnë në repartin e avancuar, në lojën më të popullarizuar në botë ndërkohë që të rrallë janë ata të cilët vendosin që karrierën ta nisin si portier ose mbrojtës. Përjashtim nuk bën as David Bisinger, lojtari i ri i afruar te Kosova U-17. Ai e ka nisur karrierën si futbollist dhe ka përfunduar si portier.
Ftesa, pasaporta e Kosovës dhe gjuha shqipe
David u ftua në kampin që u organizua nga Kosova U-17 në muajin korrik të këtij viti. “Zakonisht organizojë kampe për zbulim edhe gjatë verës, kohë kur vijnë bashkëatdhetarët tanë në Kosovë. David e ka pranuar ftesën me kënaqësi dhe me të vërtet me ka lënë shumë mbresa. Atij i është bërë edhe pasaporta e Kosovës dhe pas shkuarjes në Gjermani, i ka mbetur tre muaj në Kosovë, deri në kohën kur kemi luajtur ndeshje” potencoi Besnik Kollari.
Bisinger më herët ka luajtur në Stuttgart kurse tashmë aktivizohet për ekipin SG Sonnenhof Grossaspach. “Është një portier shumë i talentuar. Besoj se për të do të flitet shumë në të ardhmen”, vlerësoi Kollari.
Trajneri kosovar ndër të tjera e zbulon edhe insistimin e Davidid për të mësuar gjuhën shqipe. “Kur ka qenë në kamp, ka kërkuar që të shkojë për të fjetur dy netë te lojtarët në Kosova. Kërkesa e tij ishte që të ambientohej me vendin dhe sadopak ta mësonte gjuhën shqipe. Në fillim kishte probleme me shqipen, por tashmë po qëndron mirë”, shprehet Kollari.
E shkroi historinë me Kosovën
David Bisinger ditë më parë e shkroi historinë me Kosovën U-17. Kosovës U-17 ka arritur të sigurojë kualifikimin për rundin elitar të kualifikimeve për Kampionatin Evropian U-17, i cili do të mbahet në vitin 2019. Këtë kualifikim, dardanët e kanë siguruar përmes fitores kundër Kombëtares së Qipros U-17. Kosova u rendit e para në grupit të pestë, me një pikë më shumë se Kombëtarja e Skocisë, e cila përfundoi në vend të dytë. Dardanët kanë lënë prapa edhe Kombëtaren e Zvicrës U-17 dhe Qipron.
“Bisinger në ndeshjen e parë e lëndoi gishtin ndërkohë që pas ndeshjes me tha: Unë dua që të luajë në takimin e radhës, nuk kam asgjë. Me të vërtet është tejet kërkues dhe ky fakt është pozitiv për një futbollist”, përfundoi Besnik Kollari.
Ndeshjet e rundit elitar do të zhvillohen në mars të vitit 2019, ndërsa Kampionati Evropian do të mbahet nga 2 deri më 19 maj në Republikën e Irlandës.