Xhulio Maxhore është një nga mesfushorët më të talentuar të Serisë B ku aktivizohet me Specian dhe ftesa për t’iu bashkuar Kombëtares së Italisë U-20 për pjesëmarrjen në Botërorin e kësaj grupmoshe ishte më se normale. Por askush nuk e priste që futbollisti ta refuzonte atë dhe arsyetimin pas këtij vendimi. Lojtari kishte paralelisht edhe provimet e maturës në shkollë dhe ka vendosur të mos i injorojë ato.
“Reflektova sakrificat që po bëja mes shkollës dhe sportit. Janë dy gjëra që nuk është e lehtë t’i kombinosh. Ndaj desha të mbyllja këtë punë pesëvjeçare duke hequr dorë, me shumë dhimbje, nga ftesa në Botërorin e U-20. Kam marrë këtë vendim dhe nuk kam asnjë peng, shpresoj që të kem në të ardhmen raste të tilla të ngjashme. Prindërit më lanë zgjedhje të lirë në këtë aspekt, ashtu si edhe trajneri. Por shumë shokë më kanë quajtur të çmendur që hoqa dorë nga Botërori. Dua të bëhem futbollist por shkolla është e rëndësishme dhe më vjen keq kur dëgjoj të tjerë që e braktisin. Universiteti? Po, e mendoj edhe atë”, tregoi futbollisti për mediat italiane.