Para se të konfirmohet rendi i ditës në seancën e sotme të 15-të, në kërkesë të njërit prej grupeve të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dha pauzë, pasi paraprakisht nuk u pranua kërkesa e Ilija Dimovskit që të tërhiqet Propozim-ligji për përdorimin e gjuhëve, për shkak siç tha, shkeljes me vetëdije të procedurave.
Fillimisht, tha Dimovski, procedurat janë shkelur me konfirmimin e Komisionit për Çështje Evropiane për Komisionin amë, edhe pse ai duhet të jetë Komision për sistem politik, pastaj ligjit i është vendosur flamur evropian, edhe pse nuk ekziston direktivë evropiane ose rregullativë me të cilën harmonizohet, me qëllim, siç tha, të pamundësohet debati i trupave kuvendor.
Gjithashtu, tha ai, edhe shumë ekspertë të gjuhës maqedonase, përfaqësues të Institutit për gjuhën maqedonase, profesorë nga fakultetet juridike dhe ASHAM-i kërkojnë debat publik para se ai të sillet në Kuvend. Prandaj kërkoj, theksoi ai, kjo pikë të tërhiqet nga rendi i ditës, të hapen debate publike për zgjidhjen e propozuar dhe përmes konsensusit të vijë ajo zgjidhje ligjore. E përsëriti qëndrimin e partisë se ligji i propozuar është jokushtetues, se do t’i prishë marrëdhëniet midis bashkësive, se do të krijojë institucione jofunksionale dhe do të sjellë deri në dygjuhësi të plotë.
Kërkesa nuk u pranua pasi për të votuan 40 deputetë, ndërsa 60 ishin kundër. Deputeti Antonio Milloshovski, duke iu referuar vendimit për formimin e komisioneve nga 31 maji i këtij viti, tha se komisioni amë për këtë zgjidhje ligjore është Komisioni për sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive.
Xhaferi duke iu përgjigjur Dimovskit dhe Milloshovskit, sqaroi se kryetari i Kuvendit është ai i cili vendos cili trup do të jetë kompetent për propozim të caktuar ligjor, që, siç tha është rregulluar me Rregulloren për punën e re. “Në lidhje me punën dhe përcaktimin e trupit punues amë, kryetari i Kuvendit me vendim përcakton trup punues amë”, tha Xhaferi. Propozim ligji për përdorimin e gjuhëve, paraprakisht sot u mbajt nga Komisioni kuvendor për sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive. Javën e kaluar dritë të gjelbër për zgjidhjen ligjore dha edhe Komisioni kuvendor për çështje evropiane.