Shkup, 4 shtator – Me prezantimin e provave të Prokurorisë speciale publike në Gjykatën penale ka vazhduar gjykimi për lëndën “Titanik” për parregullsitë zgjedhore ku të dyshuar janë ish ministra, kryetar komunash, policë dhe funksionarë tjerë.
Para fillimit të debatit kryesor, gjykatësi Osman Shabani e ka refuzuar kërkesën e avokatëve Dimitar Dangov dhe Donço Nakov për ndërprerjen e procedurës deri në zgjidhjen e situatës me prokuroren speciale Katica Janeva ku sipas tyre është e vetmja kompetente të mbrojë lëndët e PSP-së.
Kryetari i Trupit gjykues e ka refuzuar kërkesën e mbrojtësit Elenko Milanov për përjashtimin e prokurores Lile Stefanova nga lënda.
Për rastin “Titanik” akuzohen ish-kryeministri i arratisur Nikolla Gruevski, Kiril Bozhinovski, Gordana Jankulloska, Mile Janakieski, Biljana Brishkoska Boshkovski, Ilija Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Temellko, Leko Ristovski, Kiril Todorovski, Katerina Velovska, Stanko Korunovski, Kosta Markovski, Dragçe Dragçevski, Marjan Nakevski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet, Robert Davitkov, Dalibor Aleshkoviq dhe Lenka Pashjakovska.
Ata janë të dyshuar për bashkëpunim kriminal, shkelje të së drejtës së votës, shkelje të lirisë së votuesve për të votuar, ryshfet në zgjedhje dhe votim, shkatërrim të materialit zgjedhor dhe keqpërdorim të financimit të fushatës zgjedhore.