Këshilli penal ka hedhur poshtë ankesën e ish drejtorit të DSK-së Vlladimir Atanasovski për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, informojnë nga Gjykata Themelore Shkupi 1.
“Këshilli penal i sektorit për krim të organizuar dhe korrupsion pranë Gjykatës Themelore Shkupi 1 duke vepruar sipas ankesës së mbrojtjes të të akuzuarit V.A, deklaruar kundër vendimit të gjykatësit në procedurë paraprake me të cilin pranohet propozimi i Prokurorisë Publike për caktimin e masës së paraburgimit, sot mbajti seancë ku pas vlerësimit të ankesës dhe fakteve në propozimin, solli vendim me të cilën refuzohet ankesa dhe e vërteton vendimin e gjykatësit në procedurë paraprake”, bën të ditur Gjykata penale.
Atanasovski ngarkohet për vepër penale “shoqërim për shkak të aktivitetit armiqësor”. Paraburgimi prej 30 ditësh më 5 dhjetor i është caktuar nga gjykatësi në procedurë paraprake për shkak të involvimit në ngjarjet e 27 prillit vitin e kaluar në Kuvendin e Maqedonisë.