Fatos RUSHITI
Shkup, 19 tetor – Komision Shtetëror Zgjedhor të enjten ka realizuar seancë të veçantë për shqyrtimin e ankesave nga partitë politike për rrethin e parë zgjedhor, si për kandidatë për kryetarë të komunave, ashtu dhe ata për këshilltarë komunal, shkruan gazeta KOHA. Më shumicë të votave, KSHZ refuzoi si të pabaza dy ankesa të VMRO-së edhe atë për vendvotimet 1356 dhe 1411 në Komunën e Prilepit, për të cilat kjo parti kërkoi prishje të votimit. Ndryshe, gjatë debatit për shqyrtimin e ankesave – anëtarët e KSHZ-së nuk kishin mendime të njëjta për punën e këshillave zgjedhor, gjegjësisht puna e komisionerëve u kritikua nga përfaqësuesit e VMRO-së në KSHZ dhe nga përfaqësuesja e autorizuar e kësaj partie në KSHZ, Nevanka Stamenkovska. Kjo e fundit tha se gjatë procesit zgjedhor janë vërejtur shumë parregullsi të bëra nga anëtarë të këshillave zgjedhor e të cilat, sipas saj, nuk janë vërejtur gjatë cikleve të kaluara zgjedhore. “Janë vërejtur një sërë parregullsish gjatë zbatimit të procesit zgjedhor që janë bërë nga ana e këshillave zgjedhor dhe veçanërisht shqetësuese është se në këtë cikël zgjedhor kanë ndodhur gjëra që nuk kanë qenë karakteristike për zgjedhjet paraprake. Në disa vendvotime janë paraqitur 1 ose 2 më shumë fletëvotime se sa është dashur, kurse në vende të tjera ka pasur mungesë”, deklaroi Nevanka Stamenkovska nga VMRO. Për mos respektim të dispozitave ligjore nga anëtarët e KSHZ-së foli edhe Silvana Boneva, anëtare e VMRO-së në KSHZ. “Nga ankesat që janë dorëzuar për një pjesë të vogël të vendvotimeve dhe nga ankesat dhe paraqitjet telefonike që kanë arritur në KSHZ, mund të konkludoj se një pjesë e madhe e këshillave zgjedhor nuk i kanë zbatuar deri në fund dispozitat e Kodit Zgjedhor”, tha Boneva. Por për mosshënimin e vërejtjeve në procesverbale, foli anëtari tjetër i KSHZ-së, Subhi Jakupi e që ishte edhe shkaku pse u refuzuan ankesat e VMRO-se si të pabazuara juridikisht. “Nuk ka asnjë vërejtje te procesverbali. Nuk ka asnjë vërejtje të pranuar gjatë ditës se diçka ka ndodhur në atë vendvotim dhe mendoj se është e pastër si kristali, nga ajo që pashë në origjinal, gjithçka është nënshkruar si duhet sipas procedurës”, u shpreh Jakupi. “Shqyrtuam origjinalin dhe të gjithë anëtarët vërtetuan se të gjithë anëtarët e këshillave zgjedhor janë nënshkruar”, theksoi Igor Milev, anëtar tjetër i KSHZ-së. Ndryshe, nga 45 ankesa gjithsej të parashtruara nga VMRO, KSHZ ka mbetur të vendosë edhe për 39 ankesa, kjo pasi VMRO hoqi dorë paraprakisht nga tre ankesa para fillimi të seancës në KSHZ. Në shqyrtim e sipër ishte edhe ankesa për vendvotimin 2806/1 në Komunën Qendër për të cilën, në KSHZ janë ftuar të deklarohen këshilli zgjedhor dhe anëtarët e Komisionit Komunale Zgjedhore. Mes ankesave që presin të shqyrtohen është edhe ajo e Aleancës për Shqiptarët për vendvotimin 387/1 në Komunën e Gostivarit, ndërsa nga një ankesë kanë edhe partia “E majta” dhe “TMRO”, e para për një vendvotim në Kumanovë dhe e dyta për votimet për qytetin e Shkupit. Gjatë seancës të enjten, KSHZ nuk pranoi asnjë kërkesë për rivotim në ndonjërin nga vendvotimet në vend. Përveç për në Prilep dhe në Komunën Qendër, ankesat e VMRO-së janë për vendvotimet në Gjorçe Petrov, Aerodrom, Çair, Saraj, Kisella Vodë, Shuto Orizare, Gazi Babë, Krivogashtan, Karposh, Prilep, Radovish dhe Strugë. KSHZ, sipas Kodit zgjedhor, është e obliguar të vendosë rreth ankesave të kandidatëve në procedurën për votim, përmbledhjen dhe përcaktimin e rezultateve të votimit, në afat prej 48 orëve pas pranimit. Kundër vendimit të KSHZ-së mund të parashtrohet padi në Gjykatën Administrative në afat prej 24 orëve nga pranimi i vendimit. Gjykata Administrative e Maqedonisë, ndërkaq pas pranimit të ankesës, është e obliguar të sjellë vendim në afat prej 48 orëve. Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më 29 tetor. (koha.mk)