Refugjati nga Siria që u largua nga vendlindja e tij për shkak të luftës civile, duke e mbajtur një violinë në shpinë, së shpejti publikon albumin e titulluar ‘My Journey’ (Udhëtimi im). Rami, 21 vjeç, ishte student i muzikës dhe u largua nga qyteti i Homsit në vitin 2015.
Tani ai jeton në Gjermani, pasi ka kaluar tetë vende tjera, shumicën në këmbë. Gjatë udhëtimit të tij në Evropë, pasi përndiqej nga policia ai u hodh nga një tren, ku edhe e humbi violinën e tij. Por në Gjermani, atij iu dha një violinë tjetër. Muzikanti udhëtoi nga Siria për në Liban, më pas në Turqi dhe prej aty në Greqi, gjithnjë duke e mbajtur në shpinë violinën e tij. Përderisa po udhëtonte nëpër Detin Mesdhe, anija kishte ngelur në det për shkak të prishjes së motorit, por ai u shpëtua nga rojet bregdetare greke dhe u dërgua në ishullin Kos. “Kam fjetur së bashku me violinë, sepse kisha frikë se mos ma vidhte dikush”, tha ai. Nga Greqia ai udhëtoi për në Maqedoni, ku edhe zuri syrin e gazetarëve të cilët e publikuan atë duke luajtur me violinë. Pas Maqedonisë, ai udhëtoi në Serbi, ku kaloi disa ditë pa ujë dhe ushqim. Në Serbi, ai ishte ndaluar nga policia pasi ishte shprehur hapur për kushtet e këqija me të cilat trajtoheshin refugjatët. Por udhëtimi i tmerrshëm i tij nuk përfundon në Serbi. Ndërsa po kalonte nga Beogradi në Budapest, ai u hodh nga treni pasi përndiqej nga policia. Më pas, ai udhëtoi drejt Gjermanisë, ku edhe gjeti strehim.
Pas mundimeve të mëdha, në Gjermani ai takon një grua e cila më pas bisedon me një maestro të quajtur Jochen Lemmen dhe i cili edhe ia dhuroi atij një violinë. Sipas mediave gjermane, Rami do të publikojë albumin me ndihmën e Kryqit të Kuq dhe të gjitha mjetet e mbledhura nga shitja e albumit do t’i dërgohen njerëzve në nevojë.