Pavarësisht popullsisë prej 5 milionë banorë të Libanit, në këtë shtet jetojnë më shumë se 2 milionë refugjatë, shumica e të cilëve janë nga Siria, raporton Anadolu Agency (AA). Libani, ku kriza ekonomike, politike e sociale po vazhdon të zotërojë, është vendi pritës i rreth 1,5 milionë sirianëve dhe të 500 mijë palestinezëve. Kjo do të thotë se Libani strehon refugjatë pothuajse sa gjysma e popullsisë së tij. Shihet një dallim për nga numri i refugjatëve në mes të zyrtarëve të Libanit dhe të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). OKB mbetet e pamjaftueshme për përcaktimin e numrit të saktë, meqë nuk i llogarit refugjatët të cilët nuk janë të regjistruar në këtë organizatë. Sipas të dhënave të OKB-së numri i refugjatëve sirianë që jetojnë në Liban është 1 milionë e 17 mijë e 433, kurse sipas zyrtarëve shtetërorë ky numër është më i madh se 1,5 milionë. Sipas të dhënave të OKB-së në Liban jetojnë 450 mijë refugjatë palestinezë, kurse zyrtarët shtetërorë bëjnë të ditur se ky numër është më i lartë se 500 mijë.
REFUGJATËT SIRIANË QË JETOJNË NË LIBAN
Një pjesë e madhe e refugjatëve sirianë jetojnë në veri të këtij shteti, në kampe të ndryshme të cilat ndodhen në Luginën Beka, si dhe në shtëpitë tenda të ndërtuara me kushtet e tyre. Në fshatin Kitirmaja në Liban po strehohen më shumë se 12 mijë refugjatë sirianë. Njëri prej banorëve të këtij fshati, Ali Tafesh duke e parë gjendjen e vështirë të refugjatëve sirianë në vitin 2013 ia kishte falur tokën e tij këtyre refugjatëve. Në fillim në këtë hapësirë jetonin disa familje, kurse tani ky vend është shndërruar në një vend të banuar nga 55 familje. Tafesh në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se lajmet që në Liban po zvogëlohet numri i refugjatëve nuk janë të vërteta dhe që po vazhdon ardhja e familjeve siriane në këtë vend. Duke vënë në dukje se këtë ndihmë e ka bërë pa pritur ndonjë interes, Tafesh tha se “Po të kisha mundësi do të doja të mundësoja vende për më shumë familje. Por kaq vjen nga dora ime”. Kurse një grua siriane, e cila thotë se ka ardhur nga Shami, njoftoi se në këtë kamp po jeton për 4 vitesh dhe që në krahasim me sirianët e tjerë në Liban gjendja e tyre është më e mirë. Duke theksuar se refugjatët e këtij kampi vazhdimisht bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, Fadlallah tha se “Kemi shpesh ndalim të energjisë elektrike. Por jemi mirënjohës për gjendjen tonë. Nuk e di se edhe sa kohë fëmijët tanë do të qëndrojnë larg nga shkollat. Edhe pse është shkatërruar unë dua të kthehem në atdheun tim dhe të jetoj në shtëpinë dhe në lagjen time ku kam lindur dhe ku jam rritur”. Në këtë kamp ka një hapësirë të vogël të lojërave për fëmijë dhe një klasë e hapur në një dhomë të vogël. Kriza e refugjatëve sirianë, nga zyrtarët e Libanit vlerësohet si një “bombë e cila është e gatshme për të shpërthyer”. Sipas hulumtimeve të ndryshme nga Ministria e Punës, niveli i papunësisë i cili në vitin 2012 ka qenë 11 për qind, me ardhjen e refugjatëve sirianë në shtet, në vitin 2016 ka arritur në 25 për qind. Në një konferencë të realizuar me temën “Kriza e Refugjatëve në Liban”, ministri pa portofol, përgjegjës i Punëve të Refugjatëve, Muin el-Merabi tha se ardhja e 1,5 milionë refugjatëve sirianë, ku jetonin qindra mijëra refugjatë palestinezë, ka shkaktuar krizë nacionale dhe sociale në vend. Kurse ministri i Punëve të Jashtme të Libanit ishte shprehur se komuniteti ndërkombëtar duhet të japë mbështetjen e duhur për Libanin, i cili po përjeton problem ekonomike, sociale dhe të sigurisë.
REFUGJATËT PALESTINEZË QË JETOJNË NË LIBAN
Kurse pjesa më e madhe e më shumë se 500 mijë refugjatëve palestinezë në Liban, janë të shpërndarë në gjithë shtetin dhe po jetojnë në 12 kampe, kushtet e të cilave janë shumë të kufizuara. Në kampin Ajn el-Helva ku jetojnë rreth 100 mijë refugjatë po përjetohen shpesh përleshjet me armë mes grupeve palestineze. Libani është shtet ku refugjatët palestinezë shohin më shumë shkelje të të drejtave, pas Izraelit. Që nga viti 2001 nuk lejohet që palestinezët t’i kenë pronat e tyre, ose që të drejtat pronësore t’ia kalojnë fëmijëve të tyre. Atyre po ashtu nuk u lejohet të merren me 20 lloje të profesioneve, si mjek, avokat e farmacist, etj.