UNICEF-i kërkon rikthimin e vëmendjes tek refugjatët e mitur, të bllokuar në vendet e Ballkanit perëndimor, ndërsa presin bashkimin me të afërmit e tyre. Vonesat, sipas organizatës së OKB-së që merret me gjendjen e fëmijëve nëpër botë – UNICEF, shkaktojnë trauma e kjo duhet shmangur. Të dhënat e saj tregojnë se në shtetet ballkanike e ato të Evropës Juglindore qëndrojnë rreth 75.000 refugjatë dhe emigrantë pa asnjë perspektivë të qartë për të ardhmen. Gati 25.000 prej tyre janë minorenë. “Megjithëse e kanë të drejtën legjitime të bashkohen me familjet e tyre në vendet e Evropës Perëndimore, si Gjermania apo Suedia, shumica nuk e dinë, nëse do t’iu lejohet udhëtimi e kur mund të ndodhë kjo”, thuhet në një deklaratë të organizatës me seli në Nju Jork. Ka nëna dhe fëmijë që kanë muaj apo vite që nuk e kanë parë bashkëshortin apo babanë. Procesi i bashkimit familjar zvarritet kaq shumë dhe pasiguria është kaq e madhe, saqë tek fëmijët kjo shkakton dëme emocionale dhe frikë i tha Dojçe Veles eksperti i UNICEF-it, Afshan Khan. Ai theksoi se në shume raste janë meshkujt që e kanë ndërmarre udhëtimin drejt Evropës, ndërkohë që familja duhet t’i bashkohej më vonë. Por me mbylljen e kufijve në 2016-ën dhe hyrjes në fuqi të marrëveshjes BE-Turqi, shumë familjarë kanë mbetur të ngujuar në vendet tranzit e ky proces mund të zgjasë deri në 2 vjet. Vitin që shkoi, u paraqiten 5000 kërkesa për bashkim familjar në Greqi, 700 prej tyre nga minorenë të pashoqëruar ose të mitur të ndarë nga familjet.