Evis HALILI
Shkup, 9 qershor – Tekste të vjetra dhe përmbajtje letrare që nuk korrespondojnë me vlerat e vërteta të letërsisë klasike, por edhe të prirjeve bashkëkohore letrare. Kështu cilësohen tekstet e lekturave shkollore për nxënësit e shkollave të ciklit të ulët dhe të mesëm, shkruan gazeta KOHA. Shoqata e Shkrimtarëve të Maqedonisë kërkon që dy ministritë, e kulturës dhe e Arsimit dhe Shkencës të marrin masa për të ndryshuar këto lektura. Rishikimi i tyre, i autorëve dhe i përmbajtjeve duhet të bëhet me pjesëmarrjen e ekspertëve të pavarur të sferës së shkencave të letërsisë dhe arsimit, në mënyrë që lekturat që janë në qarkullim të formulohen sipas parametrave estetike dhe pritshmërive reale nga sistemi arsimor bashkëkohor. Ata, po ashtu theksin ia vënë edhe përzgjedhjes së autorëve dhe veprave, e cila duhet të jetë e çliruar nga çfarëdolloj motivesh ieologjike dhe joletrare. Rishikimi i teksteve të lekturave u bë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës disa vite më parë, kur u krijuan edhe Komisione me ekspertë të sferave përkatëse. Profesori në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë, Nehas Sopaj, që ka qenë pjesë e këtyre komisioneve, thotë për KOHA se ndryshimet, që janë të nevojshme për pjesën e lekturave në gjuhën shqipe, por edhe në përgjithësi duhet të bëhen, por pa i tejkaluar disa standarde që janë të përcaktuara. Ndryshimet duhet të bëhen, por me shumë përgjegjësi dhe pa paragjykime, thotë ai. Përvec respektimit të standardeve të fiksuara, që nuk të lejojnë të heqësh një Mark Tuein, apo Bedri Dedjen, po ashtu nuk mund të eliminosh edhe Rifat Kukën e të tjerë për ngjyrime nacionaliste. “Përvoja që kam pasur në ato tetë takime që janë zhvilluar ka qenë e hidhur, ndërsa rezultati i gjithë asaj pune pati një mbyllje në formën më të keqe. Nëse do të bëhen ndryshime, që edhe janë të nevojshme deri diku, ato që gjithsesi do të bëhen jo duke dalë jashtë kritereve, standardeve që janë të fiksuara, jo vetëm tek ne, por edhe kudo për përmbajtjen e atyre teksteve. Por gjithçka duhet të bëhet nga ekspertë, duhet të angazhohen njerëz që e njohin mirë këtë fushë dhe që mos të përsëriten fatkeqësitë duhet të paktën kur të këtë një fajtor, të mos jetë ai bartësi i projektit, siç ishte në këtë rast MASH. Edhe fryma e atyre që punojnë duhet të jetë konstruktive dhe jo e ngarkuar me nota nacionaliste, pasi ky ka qenë edhe paradoksi më i madh”, thotë Sopaj. Në pjesën lekturave për nxënësit shqiptarë Sopaj thotë se mund të rifreskohen me prurjet e reja në letërsinë shqipe për fëmijë, autorë, apo edhe vepra të reja. Në pjesën maqedonase, Sopaj thotë se problemi qëndron edhe tek mungesa e autorëve vendas për fëmijë, gjë që nuk vlen për letrat shqipe. SHSHM këto ditë ka bërë me dije se kjo nismë ngrihet pasi që vlerëson se përmbajtja e lekturave që u jepet nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme është e vjetruar dhe nuk përputhet me vlerat e vërteta në pjesën e letërsisë klasike, por edhe atë vendase dhe botërore. “Një iniciativë e tillë në të cilën SHSHM është e gatshme të marrë pjesë do të kontribuojë në afirmimin dhe përafrimin e vlerave të vërteta të letërsisë që krijohet në gjuhën maqedonase, por edhe në gjuhët e nacionaliteteve të tjera tek të gjithë lexuesit më të rinj, në kontekstin e vlerave letrare që vijnë nga bota dhe që do të sjellë edhe ngritjen e nivelit të arsimimit në sferën e artit të fjalës së shkruar”, thonë nga kjo shoqatë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara