Shkup, 30 tetor – Krahu reformator i VMRO-DPMNE-së kërkon dorëheqje të menjëhershme të liderit të partisë Nikolla Gruevski dhe mendojnë se nuk nevojiten shpallje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas humbjes të madhe që pësoi partia në zgjedhjet e gjashta lokale, sepse me këtë për momentin, ajo edhe më shumë do ta humbiste forcën dhe do të defaktorizohej.
“Çfarë do të bënin ne në zgjedhje të reja parlamentare, pse do të duhej të bënim zgjedhje në të cilat VMRO-DPMNE do të humbiste një numër të madh të deputetëve. Këtë pyetje duhet t’ia parashtroni Gruevskit, sepse ai dëshiron zgjedhje, në të cilat VMRO-DPMNE tërësisht do të defaktorizohej edhe në Parlament”, porositi në konferencën e sotme për shtyp Petar Bogoevski njëri nga reformatorët.
Lidhur me rezultatet zgjedhore tha se partia duhet me dinjitet të ballafaqohet me realitetin dhe vullnetin e qytetarëve.
Dorëheqje urgjente të liderit të VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, organizim të një kongresi të lirë, demokratik dhe unifikues, vendim të anëtarëve dhe mbështetësve nëse janë për bashkim apo ndarje, ndalim të kërcënimeve për përjashtim nga partia për të gjithë ata që mendojnë ndryshe dhe një zgjidhje të re ligjore për veprim të partive politike, kërkoi sot krahu reformues i partisë.
U bëri thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve të zgjedhin midis rrugës së ardhmërisë evropiane dhe bashkimit, që e sjellin reformat në parti apo rrugën e të kaluarës dhe shkatërrimit, nëpër të cilën po shkohet për momentin nën udhëheqjen e Gruevskit. Kërkoi dhe vetëdijësim të anëtarësisë dhe simpatizantëve për nevojën për demokratizimin dhe modernizimin e partisë.
Bogoevski dërgoi apel për ndërprerje urgjente të kërcënimeve për përjashtim nga partia të gjithë atyre të cilët nuk mendojnë si Gruevski.