Që të mos formohen paralele me mbi 25 nxënës në klasë, shkollave duhet t’ju shtohet numri i paraleleve për një ose dy më shumë. Dmth nga katër paralele duhet të shkojë në pesë ose gjashtë numri i tyre. Mirëpo, problemi është se shkollat me mësim në gjuhën shqipe nuk kanë klasa as për paralelet që kanë momentalisht (nga katër për secilin vit). Në shkolla si “Ismail Qemali”, “Imri Elezi”, “Hasan Prishtina” apo “Penko” formohen paralele me nga 37 e 40 nxënës në klasë
Laura PAPRANIKU
Shkup, 26 prill – Nuk ka asnjë dyshim se për aq sa janë të ngarkuar nxënësit me orë dhe lëndë mësimi, që në nivelin e ulët të arsimit nëntëvjeçar shkollat krijojnë tek ata perceptime negative për të mos thënë armiqësore. Me 23 orë mësim në javë dhe 8 lëndë të ndryshme, sa kanë aktualisht nxënësit e klasës së parë, është e kuptueshme që fëmijët e moshës pesë vjet e gjysmë, gjashtë apo edhe gjashtë vjet e gjysmë, të mos mund ta konceptojnë shkollën si një vend tërheqës dhe ku mezi do të prisnin të shkojnë në të, shkruan gazeta KOHA.
Ngarkesa e madhe me lëndë, detyra, libra dhe çanta që u rëndojnë mbi kurriz, ka bërë që një numër i madh i filloristëve të humbin besimin në aftësitë e veta. Dhe përkundrazi, shkolla është kthyer në makthin edhe të prindërve, të cilët duhet të punojnë në shtëpi po aq sa punojnë mësimdhënësit.
Nëse deri në fund të verës, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) do të arrin të nxjerrë në Parlament Ligjin e ri për arsim fillor, gjërat sigurisht se do të ndryshojnë. Sepse, nxënësit jo vetëm që do të kenë më pak lëndë mësimore, por shkollat do të jenë edhe me më pak nxënës në klasë. Kjo, sipas mësuesve, do të çlirojë dukshëm shkollat nga ngarkesat e tepërta që aktualisht janë të pranishme në shkollë dhe mbi të gjitha – do të ofrohen standarde më ët larta për mësim. “Të gjithë mezi presim të nis reforma në arsimin fillor, sepse bota ecën përpara, ndërsa ne kemi ngecur në vend. Ende më keq madje, në disa drejtime jemi kthyer mbrapa”, thotë Edmonda Asani, mësuese në shkollën fillore “Brajko Zhivkovski” në Shkup. Ajo për momentin është mësuese e angazhuar me nxënësit e klasës së parë.
“Pavarësisht vështirësive të moshës që kanë nxënësit për të përballuar gjithë ngarkesën e programit mësimor, ne jemi të detyruar që ta realizojmë atë plan, ashtu siç është përpiluar në Byronë për Zhvillimin e Arsimit”, tregon ajo. Fleksibiliteti që është paralajmëruar të sjell Koncepti i ri për nivelin e ulët të arsimit nëntëvjeçar, sipas saj, do të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së mësimit. Por që gjërat të mos mbesin utopike, duket që MASH-i të investojë në krijimin e kushteve përkatëse.
Nëse shkollat vazhdojnë të regjistrojnë nga 30 e më tepër nxënës në klasë, nuk do të arrihet asgjë, plotëson më tej Asani. Këtë mendim e ndan edhe Nuhi Dardhishta nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Shkup, i cili thotë se për reforma, pra për shkarkimin e shkollave nga ngarkesat e shumta, duhet të punohet paralelisht.
“Sigurisht që është e rëndësishme të shkarkohen programet mësimore dhe me këtë të ulet edhe fondi i përgjithshëm i orëve të mësimit. Por paralelisht kësaj, duhet të shkarkohen edhe shkollat nga numri i madh i paraleleve, si dhe nga numri i madh i nxënësve në klasë”, shprehet ai. Dardhishta kujton se më i ngarkuari në nivel shteti, por edhe të shkollave të Qytetit të Shkupit është arsimi në gjuhën shqipe.
Në shkollat me mësim në gjuhë shqipe, që numri i nxënësve në klasë të parë të mos jetë më i madh se 25, duhet të shtohen paralelet e klasave të para për një ose dy, pra nga katër të shkojë në pesë ose gjashtë numri i paraleleve. Mirëpo, problemi është se edhe për kaq paralele sa janë momentalisht (katër paralele në klasë të parë), shkolla fillore si “Ismail Qemali” në Shkup, nuk ka mjaftueshëm klasa. Kështu që, sado të jetë e nevojshme formimi i paraleleve nga 20 deri 25 nxënës në klasë, shkollat nuk do të mund ta bëjnë këtë për mungesë të hapësirave.
Në këtë shkollë, ashtu si në SHF “Imri Elezi”, “Hasan Prishtina” apo “Penko” ka pasur raste që formohen paralele me nga 37 e 40 nxënës në klasë.
Në fakt, kur janë në pyetje shkollat e shqiptarëve në Çair, Butel dhe Shutkë, shkollat janë të ngarkuara deri në atë masë sa për secilën prej tyre do të duhej të ndërtohen nga një shkollë e dytë. Atëherë po, mund të flitet se janë krijuar kushte që mirëfilli të nisin reformat.
Sidoqoftë, edhe në këto kushte me nisjen e reformave nxënësit e klasave të para nuk do të kenë nga gjashtë orë mësimi nga lëndën e gjuhës amtare, pesë orë matematikë, dy orë gjuhë angleze, dy orë art figurativ, dy orë muzikor, dy orë shkencat natyrore, nga një orë shkenca shoqërore, si dhe tre orë edukatë fizike dhe shëndetësore. Pra, janë gjithsej 23 orë mësimi të detyrueshme në javë, për tetë lëndë mësimore të cilat realizohen aktualisht me nxënësit e klasave të para. (koha.mk)