Me skadimin e muajit të nëntë Qeveria i rrumbullakson reformat nga Plani 3-6-9. Pjesa më e madhe e aktiviteteve për të cilat ishte kompetente Qeveria janë përmbushur. Mbetet vetëm të përfundojë procedura kuvendore e propozimeve të fundit për ndryshime dhe plotësime të disa zgjidhjeve ligjore e cila pritet të rrumbullaksohet deri nga mesi i muajit të ardhshëm, informojnë nga shërbimi qeveritar për media.
Prej Qeverisë thonë se reformat nga Plani 3-6-9 janë rrumbullaksuar në afatin e paraparë dhe i përshpejtuan proceset integruese për Republikën e Maqedonisë në BE dhe NATO.
“Me ditën e sotme, rrumbullaksohet afati i paraparë për realizimin e projekteve reformuese urgjente të Qeverisë së Republikës të Maqedonisë, Plani 3-6-9 i cili u promovua më 5 korrik të vitit 2017, vetëm një muaj pasi filloi me punë përbërja aktuale e Qeverisë. Plani 3-6-9 ishte projekt për kthimin e korsisë së shpejtë të proceseve euro-atlantike, për rehabilitimin e funksioneve të institucioneve pas krizës politike dhe për nismën dhe zbatimin e reformave në sfera kyçe që dolën prej raporteve të grupit të lartë të ekspertëve të Rajnhard Pribe dhe prej konkluzioneve në negociatat në Përzhinë”, thonë nga Qeveria.
Prioritetet kyçe reformuese, sqarojnë, kanë të bëjnë me sigurimin e kushteve për funksionimin e parlamentit demokratik, reformat në gjyqësi, reformat në media, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në reformat e administratës publike, reforma në shërbimet e sigurisë, ndryshime për sigurimin e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike sipas rekomandimit të OSBE/ODHIR dhe të gjitha organizatave tjera relevante si dhe në kohabitacionin me presidentin e shtetit.
“Ky proces rezultoi me rikuperimin e institucioneve që të jenë në shërbim të qytetarëve, i përshpejtoi proceset integruese për Republikën e Maqedonisë në BE dhe NATO dhe mundëson jetë më të mirë për qytetarët”, thonë nga Qeveria dhe theksojnë se kontributi prej të gjitha institucioneve dhe niveleve të pushtetit është kyç për sukses të reformave.
Në periudhën e ardhshme, menjëherë pas miratimit të zgjidhjeve të fundit të propozuara ligjore në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, Qeveria e RM-së do të bëjë përmbledhje të rezultateve nga ky proces për të cilën opinioni do të njoftohet hollësisht”, thonë nga Qeveria.