Modeli i për “pastrimin” e gjyqësorit, që është në përgatitje e sipër, a ka gjasa të reduktojë ndjeshëm numrin e gjykatësve, apo do të gjendet një mekanizëm i përshtatshëm ku krahas reformave do të ketë edhe përtëritje me kuadër të ri në sistemin e drejtësisë
Omer XHAFERI
Shkup, 30 shtator – Në kohë kur vijojnë përgatitjet e Qeverisë për krijimin e modelit për “pastrimin ” e gjyqësorit, të dhënat e fundit të publikuar në Raportin e punës për vitin 2019 të Këshillit Gjyqësor të Maqedonisë së Veriut, flasin se numri i gjykatësve në vend për çdo vit po shënon rënie, kryesisht për shkak të pensionimit Nëse në gjykatat e vendit në vitin 2018 kishin qenë të angazhuar 529 gjykatës, gjatë vitit të kaluar ky numër kishte rënë në 512 gjykatës, gjegjësisht për 17 gjykatës më pak. Faktin se numri i gjykatësve për çdo vit shënon ulje e tregojnë edhe të dhënat e vitit 2017 kur në gjykatat e vendit kanë punuar gjithsej 553 gjykatës. Ndërkohë, ende nuk dihen të dhënat se si është gjendja me kuadrot e gjykatësve në këtë vit kalendarik. Nga numri i përgjithshëm i gjykatësve të regjistruar në vitin 2019, mbi 75 për qind e tyre apo 383 gjykatës kanë qenë të etnisë maqedone, 88 ose 17.3 për qind shqiptar, njëmbëdhjetë gjykatës vlleh, shtatë boshnjak, gjashtë turq, pesë serb e kështu me radhë.
Ndryshe nga shumë institucione tjera ku përfaqësimi gjinor në shtet është tejet i ulët, në bazë të të dhënave të Këshillit Gjyqësor të Maqedonisë së Veriut, numri më i madh i gjykatësve në vend janë të gjinisë femërore (mbi 300 gjykatëse). Ndërkohë, ai i gjinisë mashkullore është 205 gjykatës. Konstatimi i përgjegjësisë së gjykatësve dhe kryetarëve të gjykatave gjithashtu është kompetencë e këtij Këshilli, i cili gjatë vitit 2019 kishte pranuar 107 parashtresa të kësaj natyre. Listën e gjykatave jo azhure në vend e kryeson Gjykata Penale e Shkupit, e pasuar pas nga Gjykata Themelore e Manastirit, pastaj vijojnë ajo e Gostivarit, Prilepit, Ohrit, Kërçovës e Dibrës.
“Si rezultat i vlerësimit të rregullt, nga ana e Këshillit Gjyqësor të RMV-së janë miratuar vendime për vlerësim të punës për periudhën vjetor 2017-2018 për gjithsej 500 gjykatës. Nga numri i përgjithshëm 452 gjykatës ose 90.4 për qind janë vlerë3suar me notën ‘shumë mirë’ , 42 gjykatës janë vlerësuar me notën ‘mirë’, pesë gjykatës me notën ‘mjaftueshëm’ dhe një gjykatës është vlerësuar me notën ‘pamjaftueshëm’”, thuhet në Raportin e Këshillit Gjyqësor. Njëkohësisht procesit të vlerësimit i janë nënshtruar edhe 30 kryetar të gjykatave. Kësisoj katër prej tyre janë vlerësuar me notën “mirë”, 16 të tjerë me notën “mirë”, gjegjësisht dhjetë gjykatësit e mbetur kanë marrë notat “mjaftueshëm”. Statusi i të punësuarve në pushtetin gjyqësor në Maqedoninë e Veriut duhet të rregullohet me ligj të posaçëm. Ky është konstatim i Këshilli Gjyqësor të Maqedonisë së Veriut, i shënuar në Raportin e punës për vitin 2019, ku mes tjerash thuhet se do të iniciojnë procedurë për miratimin e ligjit të posaçëm për të punësuarit në pushtetin gjyqësor. Me miratimin e këtij ligji nga Këshilli Gjyqësor synojnë rregullimin e statusit, kualifikimit, punësimit, avancimit dhe aftësimit profesional të të punësuarve në këtë sektor. Modeli i për “pastrimin” e gjyqësorit, që është në përgatitje e sipër, a ka gjasa të reduktojë ndjeshëm numrin e gjykatësve, apo do të gjendet një mekanizëm i përshtatshëm ku krahas reformave do të ketë edhe përtëritje me kuadër të ri në sistemin e drejtësisë. (koha.mk)