Esenca dhe tendenca e reformës arsimore është orientimi i arsimit drejt afirmimit të vlerave bashkëkohore, proceseve moderne, inovacioneve dhe braktisjen e vlerave të vjetra, gjithmonë në emër të së ardhmes. Arsimi dhe shkolla të përshtatet me ndryshimet dhe arsimi të jetë i specializuar, konkretizuar, diferencuar, të aftësoj individin për jetë e profesion
Nga Xheladin MURATI
Arsimi në shoqërinë tonë është bërë fushë eksperimentimi Aty ka edhe momente kur keqtrajtohet ose keqinterpretohet, nxitet reforma por nuk reformohet. Prandaj arsimi përballet me humbjen e vlerave, madje nuk flitet për vlerat si element substancial i përparimit dhe ndryshimit. Në këtë pikë arsimi bëhet fushë betejë, me vlera dhe pa vlera, dhe asnjëherë i vlerësuar dhe i reformuar në kompleksitetin e tij. Reforma e arsimit është domosdoshmëri. Me këtë saktësohet dhe rinovohet esenca e tij, përmbajtja, seleksionimi dhe diferencimi, funksionaliteti dhe misioni.
PREMISAT
- Problemet e reformave në arsim nuk qëndrojnë vetëm në procesin e ndryshimeve, por, para së gjithash, në drejtimin dhe menaxhimin me ndryshimet.
- Qëllimi i reformave në arsim nuk është përmirësim i sistemit ose të ndonjë segmenti, por ndryshime, zgjidhje të reja.
- Esenca e reformave në arsim qëndron në ndryshimin si zhvillim dhe në krijimet si ndryshim.
- Reformat duhet të menaxhohen, përndryshe mbeten të pasuksesshme.
- Për realizimin e reformave është e nevojshme bindja dhe disiplina.
QASJET DHE ASPEKTET
Deklaroj hapur mbështetjen e reformave në arsim sepse arsimi nuk mund të përparoj pa reformim. Megjithatë nuk pajtohem me faktin që reformat udhëhiqen nga Qeveria e cila krijon frikë dhe pasiguri te armata e mësimdhënësve të të gjitha niveleve parauniversitare dhe universitare. Reforma nuk duhet kuptuar si dimension fiks. Për mendimin tim proceset reformuese duhet t’i nënshtrohen një ekspertize apo oponence. Reformat duhet të jenë mirë të organizuara mbi baza metodologjike, ato së paku duhet të përgatiten me vite, çdo bërje rastësi është e pasuksesshme, jocilësore. Shtylla kryesore e refomave duhet të jetë arsimtari si protagonist dhe bartës i arsimit. Reformat në arsim janë proces, hapa për të futur risi në përputhje me zhvillimet e reja. Për këtë arsye ato duhet të drejtohen dhe menaxhohen mirë sepse:
– reformat vetvetiu nuk mund të jenë të suksesshme nëse nuk drejtohen nga njerëz kompetent dhe
– reformat kërkojnë përcaktimin dhe definimin e qëllimeve, funksioneve dhe rezultatet e pritshme.
Mes gjërave më të rëndësishme në arsim reforma zë vendin më të rëndësishëm. Konsiderohet si një nga veprimet më të domosdoshme të arsimit. Thelbi i reformës është të largohen gjërat e vjetra dhe të futen në zbatim gjerat e reja. Thjesht të modernizohet sistemi arsimor dhe procesi i mësimdhënies e mësimnxënies.
DREJTIMI DHE MENAXHIMI ME REFORMAT
Drejtimi dhe menaxhimi janë kuptime dhe veprime që shprehin funksione komplekse në ndërtimin dhe zbatimin e reformave në arsim. Me drejtimin kuptohet mënyra si organizohen proceset dhe etapat reformuese, veprimet dhe puna e trupit bartës për reformën. Me kuptimi menaxhim në këtë kontekst, nënkuptohet veprimin që bënë trupi i zgjedhur për konkretizimin e qasjeve konkrete arsimore. Me drejtim kuptohet në njëfarë mënyre puna e grupit ku marrin pjesë nënkomisione, këshilla, organe profesionale, institucione të tjera që drejtpërsëdrejti angazhohen në procesin e reformimit (shkolla, ente, fakultete, universitete, organizata të ndryshme, shoqata, OJQ etj.). Menaxhimi kuptohet si proces i planifikimit, organizimit dhe kontrollit të aktiviteteve reformuese për realizimin e qëllimeve të caktuara në procesin e reformimit. Drejtimi dhe menaxhimi i reformës arsimore përfshinë institucionet ku planifikohen, organizohen dhe realizohen qëllime, detyra dhe procese reformuese.
DIMENSIONI DHE QËLLIMET KRYESORE
Drejtimi dhe menaxhimi me reformat në arsim përfshinë disa dimensione, si: organizuese, vlerësuese, metodologjike dhe hulumtuese. Këto nënkuptojnë:
– njohuri, informacione, dhe përsosje për qasje ndaj reformës,
– vizion dhe strategji për organizimin dhe zbatimin e ndryshimeve,
– njohje teorike dhe empirike për organizimin, planifikimin dhe zhvillimin e reformës në arsim,
– kërkimi i përmbajtjeve, modaliteteve dhe instrumenteve për funksionimin e reformës,
– definimin e qëllimeve themelore dhe kryesore,
– parashikimin e opsioneve dhe alternativave për konceptimin dhe realizimin e reformës.
DETYRAT E DREJTIMIT DHE MENAXHIMIT TË REFORMËS
Drejtimi dhe menaxhimi me reformat në arsim është përcaktim strategjik dhe ajo mundëson që institucionet arsimore dhe bartësit e reformës të jenë të hapur për ide, iniciativa dhe ndërtim të kapaciteteve reformuese. Këtu me rëndësi janë:
– operacionalizimin e rolit të reformës,
– krijimin e atmosferës së punës kreative, efikase dhe cilësore në projektimin e reformës,
– zbatimin e procedurave metodologjike në reformimin e arsimit,
– zhvillimin e përgjegjësisë dhe motivimit,
– ndërtimin e ekipit apo grupit: definimin e qëllimeve, roleve, fazave dhe përgjegjësive.
REFORMA DHE FAZAT E REALIZIMIT
Çdo reformë ka katër faza të përgjithshme:
– faza e pare, teorike-analitike,
– faza e dytë,empirike,
– faza e tretë, rishikuese-kontrolluese, dhe
– faza e katërt, praktike-operacionalizuese.
Faza e pare, nënkupton përcaktimin e dimensioneve të reformës, aspektet e reformës, sistemet institucionale, arsyeshmërinë shoqërore-pedagogjike dhe ndërtimin e metodologjisë së reformës. Faza e dytë, nënkupton grumbullimin e të dhënave dhe sistematizimin e tyre për analiza krahasuese e të ngjashme. Faza e tretë, përfshinë rishikimin dhe kontrollin e konceptit dhe zgjidhjeve që ofrohen. Faza e katërt, përfshinë ndërtimin dhe projektimin e konceptit reformues, hartim të strategjisë për realizimin e reformës, administrimin dhe implementimin e reformës. Institucionet pjesëmarrëse duhet të jenë të matura në procesin reformues. Nuk ka asnjë arsye që mund të dëshmoj se arsimi ngec. Përkundrazi, arsimi është ai që ka përjetuar ndryshime, transformime cilësore. Por këto janë të pamjaftueshme dhe nevoja për ndryshime cilësore mbetet synim i përhershëm.
ARGUMENTET E REFORMËS KUNDËR REFORMËS
Reformat në arsim duhet të jenë më energjike në pasqyrimin sistematik të arritjeve dhe të ndryshimeve. Arsimi ka pësuar vazhdimisht reforma. Mendoj se proceset refomuese në këtë periudhë të tranzicionit (me strategjitë dhe konceptet e hartuara) i dhanë shpirt dhe frymëzim proevropian arsimit tonë. Duke u bazuar në kërkesat e reja, edhe qeveritë e mëparshme edhe aktualja rezulton se reformat reale të arsimit e të shkollës duhet të mbështeten në kuadër të reformave evropiane, planeve të mirëfillta shkencore dhe parimeve e kërkesave pedagogjike. Po këto mbështeten në tre dokumente të rëndësishme të hartuara nga ekspert të arsimit, si:
– Strategjia për zhvillimin e arsimit në Republikën e Maqedonisë(2000),
– Programi nacional për zhvillimin e arsimit në Republikën e Maqedonisë 2005-2015” (2006),
– Koncepti për edukim dhe arsim fillor nëntëvjeçar (2007), dhe
– Strategjia për arsimin për 2018-2025 me plan akcional, MASH, Shkup, 2018.
REFORMA NË ARSIM DHE MONOPOLI INSTITUCIONAL
Qeveria nuk është e penguar të veprojë në reformën arsimore. Por, me monopolin e saj, hartuesit e politikave arsimore dështojnë, por kjo do të reflektoj më vonë. Nuk bëhet reformë duke lexuar dhe menduar me trurin e tjetërkujt, duhet vënë në funksion trurin tendë. Kjo është një nga arsyet që linden plenumi i studentëve, plenumi i arsimtarëve, plenumi i nxënësve, plenumi i prindërve e të ngjashme. Prandaj besoj se ka nevojë për një frymë bashkëpunimi dhe vullneti mes iniciatorëve të reformës dhe protagonistëve – arsimtarëve dhe nxënësve e studentëve.
ASHPËRSIM I KONTROLLIT
Institucionet e ashpërsojnë kontrollin mbi institucionet arsimore, mbi arsimtarët dhe studentët. Ashpërsimi i mëtejshëm i kritereve dhe kushteve për të qenë arsimtar, student, drejtues shkolle me siguri do të bie ndesh jo vetëm në rezistencën e studentëve por edhe të mësuesve, nxënësve, stafeve universitare e të ngjashme.
TRUPI APO EKIPI PËR REFORMËN
Për projektimin me sukses dhe realizimin e reformës duhet të formohet trup apo ekip profesional. Trupi duhet të drejtoj dhe menaxhoj me reformën. Ky drejtim nënkupton:
– operacionalizimin e përcaktimeve shoqërore-pedagogjike dhe hapat e implementimit të reformës,
– dinamikën e zbatimit, gjërat konkrete dhe të pritura,
– rishqyrtimin e gjërave, vendimeve, interesat parciale dhe globale,
– realizimin e tërësishëm dhe transformimin e sistemit arsimor.
DREJTIMI BASHKËKOHOR I REFORMËS
Drejtimi i reformës është parësor, jo vetëm për rëndësinë dhe peshën që ka reforma, por sepse nga mënyra e drejtimit dhe menaxhimit kushtëzohen edhe eksperienca të reja dhe qasje serioze ndaj procesit. Një reformë e arsimit sot kërkohet të jetë e përgatitur mirë nga ana profesionale, shkencore dhe pedagogjike, kërkohet një menaxhim i mirë dhe i organizuar. Njëherit drejtuesi i reformës duhet të di dhe ta njohë mirë shpirtin e nxënësve, programin mësimor, metodologjinë e mësimdhënies, funksionin e shkollës dhe kërkesat bashkëkohore të shoqërisë. Drejtuesi i reformës duhet të jetë me vizion të gjerë dhe diktues, sugjerues dhe nxitës i vërtetë i ndryshimeve, njohës i mirë i didaktikës dhe pedagogjisë Thjesht ai duhet të jetë në gjendje t’u përgjigjet suksesshëm sfidave të reformës. Drejtuesit fillimisht duhet të konceptojnë projektin e reformës. Për këtë qëllim, ata duhet të marrin hapat vijues:
– Të meditojnë për procesin e reformës;
– Të monitorojnë reagimet e mësuesve, nxënësve, prindërve për arsyen dhe nevojën e reformimit të arsimit dhe të artikulojmë ato.
– Mes qasjeve të shumta, ta pranojnë skenarin më të mirë, zgjidhjen më efikase.
– Të bëjnë kërkime për probleme konkrete.
– Të kultivojnë një mentalitet suksesi në reformën e inicuar.
– Të analizojnë qasje dhe probleme me interes për reformën.
– Të mësohen të jetojnë me problemet e reformës.
– Të largojnë frikën nga vetja, të jenë optimist dhe përkushtues.
– Të mësojnë të jetojnë me problemet dhe me pyetjet.
REFORMA NË ARSIM DHE PANDEMIA COVID-19
Arsimi, sistemi arsimor u përballë me probleme të shumta në organizimin e mësimit e ndikuar nga paraqitja e virusit. Sistemi arsimor nuk ishte i përgatitur për realizimin e mësimit nga shtëpia. Në fakt, një gjë është e sigurt: Covid-19 ka shkaktuar një revolucion në mësimin digjital që mund të transformoj në mënyrë të përhershme mësimdhënien dhe sistemin arsimor. Mbyllja e shkollave dhe nisja e procesit të organizimit të mësimit në largësi apo distancë ose online, shtron para bartësve të politikës arsimore nevojën për reformim të mësimdhënies. Gjerësisht për problemet e organizimit të mësimit në librin tone “Arsimi dhe shkolla përballë sfidave të pandemisë” (2020). Reforma duhet të shqyrtoj të gjitha mundësitë se kur do të kthehet në normalitet shkolla, universiteti, por mbi të gjitha të ndërtohet strategji për organizimin e mësimit në largësi që nënkupton programe përkatëse, metodologji përkatëse, pajisje e nxënësve me mjete, trajnimi i mësuesve për punë në largësi, botimin e librave digjital dhe shumë gjëra të tjera.
PËRFUNDIM
Nga parashtrimi që bëmë dalin këto konkluzione: Objektivi i reformave në arsim synon vizion dhe strategji për arritjet bashkëkohore në arsim. Reforma duhet të mbështetet në politikat që dalin nga institucionet (universiteti, shkolla etj.) që duhet të vijnë në ndihmë institucioneve dhe autorëve që projektojnë reformat. Esenca dhe tendenca e reformës arsimore është orientimi i arsimit drejt afirmimit të vlerave bashkëkohore, proceseve moderne, inovacioneve dhe braktisjen e vlerave të vjetra, gjithmonë në emër të së ardhmes. Arsimi dhe shkolla të përshtatet me ndryshimet dhe arsimi të jetë i specializuar, konkretizuar, diferencuar, të aftësoj individin për jetë e profesion. (koha.mk)