Nuk ka më kohë. Duhet nxituar me Reformat, që janë ato që sjellin ndryshime në terren, jo vetëm në salla fjalimesh! Prindërit e këtij vendi kërkojnë fëmijët e tyre të cilët nuk jetojnë me ajër! Fati i një populli mbahet peng nga disa njerëz të cilët kanë kapur Reformat nga koka dhe nuk i lejojnë të dalin në dritë. Të shkretat reforma…të shkretët ne!
Nga Dr.Arben TARAVARI
Kanë kaluar ditë e muaj nga dita kur u lëshua si parullë shpëtimtare për shtetin e popullin fjala “Reforma”! U bë zhurmë e madhe gjithë andej, i madh e i vogël mësuan se gjaku i ri politik që po na ofrohej vinte për të ndryshuar këtë sistem të kalbur që na bëri të merrnin inat veten e jo më të tjerët!
Mirëpo, për fat aspak të mirë duket se Reformat e famshme ose nuk janë kuptuar ose edhe më keq, janë kuptuar e nuk kanë ndërmend të zbatohen! Gjendja nuk është e njëjtë, është edhe më keq! Besimi i fundit i njerëzve, atë që e nxorën nga kasafortat më të thella të vetëdijes të tyre, po zhbëhet. Shpresa e fundit, po humb! Asnjë Reformë! Vetëm fjalime euforike, tashmë retorike që duket se nuk përkojnë fare me realitetin!
Nuk po flas këtu për xhaketat e vjetra të cilët ende mbetën në pushtet, kjo është një e keqe që nuk shënon mosfillimin e reformave. Po flas për të gjithë zërat elektoralë, tashmë të shndërruar në zëra qeveritarë, që premtuan dhe nuk po mbajnë fjalën. Dy apo më shumë standarde para të njëjtit fakt janë padrejtësi absurde që ende vazhdojnë të marrin lumenj njerëzish duke i degdisur jashtë, në emigrim, ose prapa hekurave në mënyrë të padrejtë! Nga ana tjetër raste krimesh flagrante nuk dënohen, gjykohen me verdikte paradoksale që promovojnë krimin!
Formula është sa e vjetër aq edhe e tmerrshme, mjafton të jesh me pushtetin dhe ke favorizime të paligjshme dhe e kundërta, nëse nuk je ithtar i “bosave” që kanë monopolizuar pushtetin prej vitesh, atëherë dënohesh vetëm pse merr frymë. Nëse je politikan nga aradhat maqedonase dënohesh, ndërsa nëse je politikan shqiptar dhe ka dyshime që ke keqpërdorur pushtetin (për shkak të servilizmit) kursehesh nga gjyqësori… Por Zoti mos e dhashtë, nëse të ka rënë për hise të jesh qytetar shqiptar si rasti i Feta Alimit që shpëtoi Ziadin Selën, atëherë të pret një Gjyqësor i egërsuar i cili të ndëshkon sikur të kesh kryer krim….shqiptari që në lagjen Gjorce Petrov për t’u mbrojtur, lëndoi një maqedonas edhe pse i ri u dënua me dënim drakonik po nga Gjyqësori që ende mban të lirë për të ushtruar pushtet shumë njerëz që kanë dyshime rekorde kriminale tepër të rënda!
Gjyqësori ka një menu krejt të vetën të të bërit “drejtësi”. Qytetarët maqedonas janë krejtësisht të amnistuar nga ky institucion që po bën histori të zezë dhe gjenocid ligjor, shqiptarëve ju vriten fëmijët, gjyqësori hesht dhe pastaj fal… Almiri i vogël është një nga mallkimet që do përndjekë të gjithë ata gjyqtarë që nuk mendojnë se është krim i rëndë vrasja e një fëmije! Edhe oksigjeni është i mohuar për komunat shqiptare, si është rasti i Rajonit të Pollogut ku me një gjysëm lëvizje ndaluan Jugohromin por askush nuk merr parasysh të marrë masa ndaj atyre qe shkaktuan helmim masiv tek banorët e kësaj zone. Reformat pretendojnë se kanë ndryshuar jetën tonë po asgjë nuk ka ndryshuar në xhepat bosh të qytetarëve. Llogaritë e tyre janë të mbushura me Fjalë që nuk blejnë asgjë! Te varfër dhe pashpresë jemi në pritje të Reformave që duket se po vonojnë dhe po luajnë me durimin, dinjitetin dhe personalitetin e njerëzve!
Kush i ka në dorë Reformat?! Kush po i ndalon?! A është e mundur që deri tash ne të vegjetojmë në këtë kënetë që duan ta shesin si shtet?! Problem!
Amerika dhe Evropa presin, gjithashtu dhe Rusia pret! Kush do të fitojë në Maqedoni?! Liria, barazia dhe zhvillimi evropiano-amerikan apo do të bëhemi një copë tokë që do të gëlltitet nga interesa diktatoriale?! Maqedonia po zbrazet përditë. Kryeministri dhe dishepujt e tij vrapojnë të lodhur dyerve të ambasadës, duket se makina e tyre ka shkopinj në rrota… Nuk ka më kohë. Duhet nxituar me Reformat, që janë ato që sjellin ndryshime në terren, jo vetëm në salla fjalimesh! Prindërit e këtij vendi kërkojnë fëmijët e tyre të cilët nuk jetojnë me ajër! Fati i një populli mbahet peng nga disa njerëz të cilët kanë kapur Reformat nga koka dhe nuk i lejojnë të dalin në dritë. Të shkretat reforma…të shkretët ne!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)