Omer XHAFERI
Shkup, 1 prill – Të gjitha zhvillimet e periudhës së fundit që e përfshinë shoqërinë dhe sistemin gjyqësor në përgjithësi, ndikuan në krijimin e Raportit të Pribes. Kështu tha të premten kryetari i Gjykatës Supreme të Maqedonisë, Jovo Vangellovski, i cili para gjykatësve të pranishëm që u mblodhën në shënimin e “Ditës së jurisprudencës”, theksoi se ky raport përmban kritika të hapura, sugjerimet e të cilit duhet të merren parasysh, respektivisht rekomandimet nga ai raport duhet të jenë udhërrëfyes në periudhën që pason. “Para disa ditëve kur u zgjodha unë në këtë post, potencova se do të angazhohem që në raportin e ardhshëm këto vërejtje të mos jenë, gjegjësisht përmirësimin e gjendjes aktuale në sistemin gjyqësor. Mendoj se herët është të flasim për fajtorin i cili na e solli Raportin e Pribes, por ne duhet të përqendrohemi në ato pika prioritare të avancimit. Faji në këtë rast është çështje që mund të diskutohet në të ardhmen, atëherë kur do të kemi një situatë më të qetë, dhe kur t’i largojmë ato mungesa me të cilat ballafaqohemi”, deklaroi gjykatësi Vangellovski. Përkundër faktit se ai në këtë post të lartë në hierarkinë e gjyqësorit është për një periudhë të shkurtër, megjithatë kjo nuk ka qenë shkas që mos të përfshihet punën e Prokurorisë Speciale Publike, e cila së fundmi ka kërkuar shkarkimin e tij nën dyshimin e anshmërisë së tij, gjegjësisht përmendjen e emrit të tij në njërën prej bombave të opozitës të publikuar gjatë vitit 2015, përmbajtjen e të cilës kjo prokurori një kohë të gjatë është duke e hetuar. “Përgjigje lidhur me kërkesën e PSP-së dhe ndodhive në Gjykatën Penale të Shkupit, do të jap në ndonjë rast tjetër”, tha shkurt kryetari i Gjykatës Supreme Vangellovski. Njëherit, në fjalimin e tij para një numri të madh të gjykatësve, ai po ashtu shtoi se miratimi i ligjeve me procedurë të shpejtë në Parlament ka ndikuar që në Maqedoni të mbizotërojë pasiguria juridike. Në mesin e shumëve ligjeve që viteve të fundit janë votuar me procedurë të shkurtër, dispozitat e të cilëve siç tha gjykatësi Vangelloski janë problematike, numërohen Ligji për Këshillin e verifikimin e fakteve, Ligjit për përcaktimin e dënimeve dhe Ligji për Këshillin Gjyqësor të Maqedonisë. Normat ligjore që burojnë nga këto ligje, sipas tij, janë faktorë që anëtarët e Këshilli për verifikimin e fakteve, me lehtësi t’i pranojnë parashtresat e dorëzuara nga qytetarët dhe të njëjtit në disa raste i kanë dhënë leje vetës që t’i vlerësojnë aktgjykimet e gjykatësve. Në ndërkohë, edhe kryetari i Shoqatës së Gjykatësve, njëherit edhe gjykatës në Gjykatën Supreme, Xhemail Saiti, tha se nuk është e hijshme që në një ditë solemne siç është shënimi i “Ditës së jurisprudencës” të flitet dhe komentohen tema tjera lidhur me gjyqësorin. Ndryshe, gjykatësi Vangellov, nënvizoi se duhet të respektohet Ligji për rrogat e gjykatësve. Në kuadër të kësaj, ai tha se nga arka e shtetit në arkën e buxhetit gjyqësor janë lëshuar mjetet e premtuara prej 0,8 për qind, dhe jo siç thuhet, 0,35 për qind. Në këtë manifestim morën pjesë edhe një numër i konsiderushëm i gjykatave nga gjykata të ndryshme të Maqedonisë, përfshi edhe ato të Gjykatës Penale të Shkupit, të cilat thanë se brenda ditëve në vazhdim deri te Gjykata Supreme, do të parashtrohen 20 ankesa lidhur me orarin e ri të punës të GJPSH-së, i cili deri më sot u ndryshua dhe prapë u kthye në gjendjen e mëparshme.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara