Reformat serioze dhe mbështetja e vërtetë dhe jo vetëm në letër e eksportit sot me prodhime të vlerës së shtuar dhe jo të lëndëve të para, do të sjellë nesër rritje të pagave dhe përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve
Nga Fisnik PASHOLLI
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, ditën e martën më në fund fituan plotësisht me meritë, hapjen e negociatave për anëtarësim me BE-në. Maqedonia pas 15 vite pritje dhe të bllokimit , pas arritjes së marrëveshjeve për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe çështjen e emrit me Greqinë, hapi dyert e anëtarësimit në BE.
Për momentin, vendin tonë si dhe të gjithë Evropën dhe gati tërë botën e mundon lufta kundër koronavirusit. Një luftë e rëndë, me sakrifica, humbje në njerëz dhe humbje materiale, tronditje shoqërore si dhe ndryshimin e aspektit të jetesës së popullatës. Megjithatë , sipas pohimeve të ekspertëve të kësaj lëmie ndoshta problemi më i madh i luftimit të kësaj sëmundje është përhapja e saj e shpejtë e saj, të dhënat e pakta për vetë virusin , imunitetit pas shëndoshjes, ilaçi dhe medikamentet që luftojnë atë etj Mirëpo në kohën kur tërë bota ka bashkuar forcat për ti bërë ballë asaj, kur këmbimi i informacioneve është në kulmin historik, kur mësojmë dhe ndajmë edhe përvojat e të tjerëve në këtë krizë shëndetësore, njerëzimi do të fitojë edhe këtë luftë.
Edhe kjo do të kalojë , ndërsa më fillimin e fushatës zgjedhore dhe pas zgjedhjes së qeverisë së re një nga temat kryesore në shtet do të jetë nisja e negociatave për anëtarësim në Unionin Evropian.
Nga 35 kapitujt për bisedime, më të rëndësishmit dhe më të ndërlikuarit do të jenë kapitujt 23 dhe 24, që kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe të drejtat themelore, apo lirinë, drejtësinë dhe sigurinë si bazamentin kryesor të sundimit të së drejtës , që nga ana tjetër janë kusht themelor për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të një vendi. Pra, pas anëtarësimit të vendit në NATO dhe fillimit të negociatave me BE-në, të dyja këto institucione do të kërkojnë reforma në gjyqësor, menaxhim më efikas në shtet dhe sektorin publik, sigurisë më të madhe për investitorët e huaj dhe vendorë. Pra, ekzekutivi i ri do të ketë obligim dhe barë të madhe që reformat e anuluara deri tani ti fillojë të realizojë që në vitin e parë të qeverisjes, që nga racionalizimi dhe rritja e efikasitetit të punës së administratës, orientimit dhe mbështetjes më serioze ndaj eksportit, organizimit të fermerëve me shuma serioze financiare për tu organizuar në kooperativa lavërtare, foragjere, blegtorale, të mjaltit, të pemëve e kështu me radhë duke ju ofruar jo vetëm të holla por edhe ndihmë profesionale në teren edhe bujqve me pesë e më shumë lopë edhe bujqve me 50 lopë…, duke përgatitur dhe realizuar edhe një program serioz për kultivimin e mishit të viçit. Bile duke orientuar së paku 30 deri 50 për qind të gjitha subvencioneve qoftë bujqësore, të inovacioneve dhe mbështetjes tjetër financiare nga shteti në eksport. Reformat serioze dhe mbështetja e vërtetë dhe jo vetëm në letër e eksportit sot me prodhime të vlerës së shtuar dhe jo të lëndëve të para, do të sjellë nesër rritje të pagave dhe përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve. (koha.mk)