Shkup, 18 janar – Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Mila Carovska mori pjesë në promovimin e librit “Mendime për inovacionet sociale”, e dedikuar në praktikat sociale botërore, në të cilën janë shfaqur më shumë se 60 shembuj për praktika të mira, mes të cilave është përfshirë edhe reforma sociale e cila për momentin realizohet në Maqedoni.
“Qëllimi ynë është që të ndërtojmë sistem të mbrojtjes sociale i cili siguron jetë cilësore për të gjithë dhe prej të cilit do të ketë përfitim e gjithë shoqëria, e jo vetëm individë. Pikërisht ky është thelbi i reformës sociale, me të cilën iu ndihmojmë 40.000 qytetarëve që të dalin nga varfëria, ndërsa gjithashtu në mënyrë drastike e ulim varfërinë e fëmijëve. Ndërtojmë sistem në të cilin askush nuk do të harrohet dhe i cili i përfshin të gjitha kategoritë e ndjeshme. Ofrojmë zgjidhje të qëndrueshme, mundësojmë shanse për secilin, por njëkohësisht i trajtojmë edhe problemet e mëdha shoqërore”, deklaroi Carovska.
Ky libër, siç është theksuar në kumtesën e MPPS, është përmbledhje e inovacioneve sociale të cilat e theksojnë rëndësinë e tyre për bashkësitë e ndryshme dhe gjithë shoqërinë. Modeli ynë është shfaqur si një nga inovacionet sociale të cilat ndodhin në botë, së bashku me shembuj nga Finlanda, Islanda, Kroacia, Sllovenia, etj.
Inovacionet sociale definohen si kërkesë e përgjigjeve të cilat do të kontribuojnë për shoqëri të drejtë dhe jetë të lirë për sa më shumë njerëz. Zgjidhjet të cilat dalin nga këto inovacione e përfshijnë dhe reflektojnë pozitivisht në gjithë shoqërinë, në vend se të individëve.
Në tryezën e rrumbullakët me rastin e promovimit të librit “Mendime për inovacionet sociale” morën pjesë shumë autorë dhe bashkëpunëtorë. Ngjarja ishte në organizim të Fakultetit për Arsim pranë Universitetit të Lubjanës. Libri është redaktuar nga prof. dr. Slavko Gaber dhe dr. Veronica Tashner.