“Ne si Bashkim Evropian në bashkëpunim me Qeverinë jemi duke u munduar të krijojmë ardhmëri për të rinjtë që të mbesin në vendin e tyre dhe kjo mund të bëhet, kuptohet me implementimin apo realizimin e reformave, të cilat do të sjellin ndryshimin e nevojshëm me qëllim që t’i mbajnë njerëzit apo të rinjtë të mbesin këtu në vendin tuaj”, tha ambasadori Zhbogar
Urim HASIPI
Tetovë, 4 dhjetor – Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoni, Samuel Zhbogar, për herë të parë sot ka qëndruar për vizitë në Universitetin e Tetovë, ku në takim me rektorin e këtij Universiteti, Vullnet Ameti, është njoftuar për së afërmi me historikun e këtij institucioni të lartë arsimor, të arriturat dhe zhvillimin. Pas takimit me rektorin Ameti, Zhbogar ka marrë pjesë në një debat me temë “Vizioni i të rinjve për Bashkimin Evropian”, shkruan gazeta KOHA.
“Në shtator, delegacioni i Bashkimit Evropian organizoi fushatë me sloganin ‘Imagjino një të ardhme së bashku’, ku në kuadër të kësaj fushate, u organizuan shumë takime me qytetarët nëpër shumë komuna të vendit tuaj dhe vizita e sotme në Universitetin shtetëror të Tetovës në një mënyrë ristarton apo paraqet një rifillim të kësaj fushate, mirëpo këtë herë – do të fokusohemi në vetë studentët dhe do të bisedojmë që të dëgjojmë mendimet e tyre, të dëgjohen vizionet që studentët kanë për Bashkimin Evropian, do të dëgjojmë komentet dhe këshillat nëse ato kanë këshilla dhe unë gjithmonë si ambasador i Bashkimit Evropian do të jem në dispozicion të studentëve dhe të vet qytetarëve që të shpjegoj se cilat janë qëndrimet e Bashkimit Evropian në vendin tuaj dhe pikërisht vizita e sotme e kishte këtë qëllim”, tha Zhbogar.
Ai është pyetur se çka është duke bërë Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Maqedonisë që të rinjtë të mos lëshojnë vendin dhe të ikin në vendet e BE-së. Ai tha se duhet reforma të nevojshme që do të sjellin ndryshime.
“Ne si Bashkim Evropian në bashkëpunim me Qeverinë jemi duke u munduar të krijojmë ardhmëri për të rinjtë që të mbesin në vendin e tyre dhe kjo mund të bëhet, kuptohet me implementimin apo realizimin e reformave, të cilat do të sjellin ndryshimin e nevojshëm me qëllim që t’i mbajnë njerëzit apo të rinjtë të mbesin këtu në vendin tuaj. Mendojmë se kjo është shumë me rëndësi nëse ata ardhmërinë e shohin në vendin e vet, atëherë nuk do ta ndjejnë nevojën që ta lëshojnë vendin. Shpresojmë se me hapjen e mundshme të negociatave për anëtarësim, të rinjtë do të mund që ardhmërinë e tyre ta shohin përsëri në vendin e tyre dhe pikërisht për këtë Bashkimi Evropian i kushton vëmendje të madhe të rinjve këtu”, tha Zhbogar.
Pas vizitës në Universitetin e Tetovës, ambasadori Zhbogar ka qëndruar për vizitë edhe në Komunën e Tetovës, ku është takuar me kryetaren Teuta Arifi për të biseduar rreth projekteve të cilat janë vënë në dispozicion nga ana e Bashkimit Evropian. (koha.mk)