Tiranë, 18 shtator – Projektet dhe premtimet për zonën turistike të Prespës ka qenë sot objekt i një interpelance parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë. Interpelanca që është mbajtur në Kuvend është kërkuar nga deputeti minoritar maqedonas, Vasil Sterjovski për Liqenin e Prespës dhe popullsinë e Bashkisë së Pustecit.
Sterjovski, ka pasur dy shqetësime, e para lidhur me uljen e nivelit të ujit të liqenit dhe varfëria e zonës, teksa theksoi se ka pasur projekte për Parkun kombëtar të Prespës por asnjë investim konkret.
Sipas deputetit Sterjovski, nga ana e ministrisë së drejtuar nga Blendi Klosi, janë paraqitur disa projekte dhe janë bërë shumë premtime, por të gjitha këto kanë rezultuar si të parealizuara deri tani, njofton gazeta “Reforma”.
Por, duke marrë fjalën në këtë interpelancë, ministri Klosi, foli mbi investimet në Bashkinë e Pustecit e veçanërisht në Liqenin e Prespës, që sipas tij janë në realizim e sipër.
Ministri për Turizëm dhe Mjedis Jetësor, Klosi, në lidhje me këto akuza të bëra nga deputeti minoritar tha se këtë destinacion e vizitojnë mbi 100 mijë turistë dhe sërish kapacitetet e vendosura me bujtina nuk janë të mjaftueshme.
Klosi pretendoi se, po punohet për mbështetjen e banesave si dhe trajnimin e personave që do të punojnë në atë projekt.
“Pusteci është sot një destinacion turistik teksa 110 mijë turistë e vizituan atë”, deklaroi në fjalën e tij ministri Klosi, duke shtuar se “në sezon turistik është vështirë të gjesh një tavolinë apo shtrat të lirë në Pustec”.
Po ashtu Klosi përmendi faktin se ai ka simpati për zonën dhe se është partizan i turizmit në Prespë e Korçë.