Ndodhitë e fundit në sistemin gjyqësor në vendin tonë, sipas ekspertëve juridik do të reflektojnë në procesin vijues të marrjes së datës për fillimin e negociatave me BE-në. Një pjesë e mirë e njohësve të proceseve integruese, mendojnë se rasti “Zhvatja”, njëkohësisht edhe mos votimi i Ligjit për prokurorinë publike, janë pengesë që BE-ja të bindet se në Maqedoninë e Veriut mund të sundoj ligji dhe e drejta
Omer XHAFERI
Shkup, 25 gusht – Sistemi gjyqësor dhe ai prokurorial në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të mbetet hallkë shumë e dobët e sistemit të drejtësisë në vendin tonë.
Eksperti juridik Naser Zyberi, duke i komentuar ngjarjet e fundit rreth hetimeve për rastin “Zhvatja” dhe arrestimin e shefes në largim të PSP-së, Katica Janeva, thotë, se këto zhvillime nuk japin asnjë farë shprese së në Maqedoninë e Veriut do të vendoset sundimi i të drejtës dhe zbatimi i ligjit, shkruan gazeta KOHA.
Daljen nga kjo situatë ai e sheh në fillimin e menjëhershëm të procesit të vettingut (rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve). Mbase kjo masë siç, thotë Zyberi duhet të merret me urgjencë, institucionet shtetërore paralelisht nevojitet të ndërmarrin edhe hapa tjerë për vendosjen e jurisprudencës në binar të shëndosh.
“Mendoj se duhet të rishqyrtohet pozita juridike – ligjore e Këshillit të Prokurorëve dhe atij Gjyqësor, respektivisht mënyra e zgjedhjes dhe e financimit. Ekzistojnë një morri mënyrash tjerash. Ligji për akademinë e gjykatësve dhe prokurorëve. Mënyra e rekrutimit të kandidatëve të ardhshëm për prokuror dhe gjykatës. Dmth, kemi një det problemesh të cilat nuk mund të zgjidhen pa një këmbëngulje dhe vendosmëri institucionale. Fatkeqësisht një gjë të tillë deri tash nuk po e shohim”, thotë Zyberi.
Rasti “Zhvatja” dhe përfshirja e Katica Janevës në këtë lëndë për shumë kë në Maqedoninë e Veriut ishte një shok i vërtet. Një pjesë e mirë e opinionit publik vazhdon të mos besoj se shefja e PSP-së, gjegjësisht drejtuesja e institucionit që kishte besueshmërinë më të madh të qytetarëve, e që pritej ta kthej besimin në sistemin e drejtësisë, është përfshirë në aferë të rëndë të korrupsionit. Përveç punës së PSP-së, dyshime ekzistojnë dhe mbi punën e Prokurorisë për krim të organizuar, e cila brenda një periudhë të shkurtë, çuditërisht nga njëri prej institucioneve më të kritikuara për hetime selektive dhe jo të barabartë, u shndërrua në organin kryesor “reformues” në shtet. Juristi, Naser Zyberi kur e vlerëson hetimin për rastin “Zhvatja”, nga Prokuroria për krim të organizuar, me të cilën udhëheq prokurorja Villma Ruskoska, thekson se kjo procedurë hetimore ka treguar mjaftë dobësi.
“Prej fillimit kur është iniciuar procedura nuk e bënë publike faktin se me iniciativë të kujt ngrihet kjo procedurë. Me paraqitjen e kryeministrit, apo me denoncimin e personit që llogaritet se ka qenë i zhvatur, dhe i dyshuar në rastin ‘Perandoria’. Dilema tjera hapin edhe faktet se shefja e PSP-së, Katica Janeva u la të jetë në liri mbi një muaj, me çka ka pasur mundësi të bëj dëmtimin, komprometimin dhe zhdukjen e dëshmive, pasi që ajo e ka udhëheq lëndën ‘Perandoria’, gjegjësisht dhënia e mundësisë që ajo manipuloj edhe me celularët e prokurores speciale, dhe nuk u arrestua në kohë. Të gjithë këto flasin për dyshime të bazuara se Prokuroria për krim të organizuar nuk është në nivelin e duhur për tu marrë me një rast kaq të rëndë, kaq dramatik siç janë hetimet për rastin ‘Zhvatja’”, thotë për KOHA, Zyberi.
Prokurorinë për krim të organizuar dhe Prokurorinë Speciale Publike mes vetë i ndërlidh (mos) veprimi. Kësisoj, themelimi i PSP-së, kryesisht buron nga heshtja, neglizhenca dhe shpërfillja që Prokuroria për krim të organizuar në vitin 2015 e pati ndaj procesit të përgjimeve të jashtëligjshme që dolën nga keqpërdorimi i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim.
Ndryshe, ndodhitë e fundit në sistemin gjyqësor në vendin tonë, sipas ekspertëve juridik do të reflektojnë në procesin vijues të marrjes së datës për fillimin e negociatave me BE-në. Një pjesë e mirë e njohësve të proceseve integruese, mendojnë se rasti “Zhvatja”, njëkohësisht edhe mos votimi i Ligjit për prokurorinë publike, janë pengesë që BE-ja të bindet se në Maqedoninë e Veriut mund të sundoj ligji dhe e drejta. (koha.mk)