Referendumi për emrin në Maqedoni dhe ndikimi i tij në rajon

0

Shqiptarët në Maqedoni janë duke kërkuar demokraci dhe demokracia nuk pret, të drejtat kombëtare nuk presin, liritë themelore dhe perspektivat euroatlantike nuk presin, prandaj këshilla ma e mirë do të ishte që faktori politik shqiptar në Maqedoni të mbante një konference tjetër, ku të koordinoheshin mirë qëndrimet e tyre jo vetëm për referendumin për emrin, por edhe pas këtij referendumi në raport me zhvillimet ne rajon dhe në botë

 

Nga Mujë BUÇPAPAJ

  1. Tërheqja e Maqedonisë nga lufta e ftohtë me Greqinë për heshtjen e emrit, i ka hapur tashmë rrugë referendumit të 30 shtatorit 2018, për të legalizuar “Marrëveshjen e Prespës.”

Pas marrëveshjes së Ohrit të gushtit 2001 që siguroi një bashkëjetesë me shqiptarët në një shtet, Maqedonisë ju imponua një tjetër marrëveshje me Greqinë (që mban emrin e një tjetër liqeni), për t’i siguruar asaj një bashkëjetesë me Greqinë në forumet ndërkombëtare ku Maqedonia dëshiron të ankorohet. Nëse në Marrëveshjen e Ohrit shqiptarët ishin aktorë dhe palë, në Marrëveshjen e Prespës dhe në përgjithësi në bisedimet e gjata të Maqedonisë me Greqinë u lanë jashtë, thua se nuk ishin qytetarë të atij shteti. Pas ardhjes në fuqi të Zaevit shqiptarët patën një rol periferik.

Ky anashkalim, ose përjashtim u ka mohuar shqiptarëve një të drejtë legjitime si qytetarë të atij shteti, por nga ana tjetër nuk i detyron shumë shqiptarët që të marrin pjesë në këtë referendum, pasi edhe emërtimi i ri, i republikës maqedonase nuk shpreh asgjë shqiptare edhe pse ata përbëjnë gjysmën e popullsisë së vendit.

Në rastin më të mirë shqiptarët etnikë në Maqedoni mund t’i përgjigjen këtij injorimi tradicional të shtetit maqedon ndaj tyre, duke bllokuar referendumin, duke kërkuar që emri i republikës së re të ketë edhe shprehjen shqiptare, në togfjalëshin emërtues (Maqedonia e Veriut). Në fakt negociatoret grekë gjatë vitit të fundit të bisedimeve ndërshtetërore, patën propozuar si emër të përshtatshëm edhe “Republika Sllavo- shqiptare e Maqedonisë”. Tashmë kjo gjë është shumë vonë dhe pyetja është nëse shqiptarët do të duhet të marrin pjesë në referendumin e 30 shtatorit, apo jo? Në fakt pyetja më e drejtë do të ishte: a do të duhet që shqiptarët ta shpëtojnë edhe njëherë ish- Republikën Jugosllave të Maqedonisë (FYROM), siç është njohur deri tani në nivel ndërkombëtar.

Nëse Marrëveshja e Ohrit, ashtu e gjymtuar dhe shpesh e pashpresë reale, ia zgjati jetën Maqedonisë, tani në kushtet e bojkotit të opozitës së djathtë në vend, shqiptarët janë duke e shpëtuar përsëri Maqedoninë duke marrë pjesë në referendumin e 30 shtatorit.

  1. Nëse shqiptarët bojkotojnë referendumin, ai humbet dhe për pasojë kemi shndërrimin e Maqedonisë përfundimisht në një shtet pa perspektivë evropiane dhe atlantike dhe e ardhmja e saj do të ishte në pikëpyetje. Ashtu siç do të ishte në pikëpyetje edhe fakti nëse shqiptarët do të duhej që edhe më tej të jetonin brenda një shteti të përçarë, pa identitet, pa busull orientimi, me institucione të dobëta që nuk garantojnë liritë themelore njerëzore, kombëtare dhe politike

Ky do të duhej të ishte një qëndrim i gjithë faktorit politik shqiptar, i shoqërisë civile, mediave dhe rretheve universitare akademike.

Dështimi i referendumit do të sillte një krizë me ndikime rajonale, pasi do të nxirrte në sheshet e Maqedonisë trupën filoruse dhe filoserbe, me protesta për të rrezuar qeverinë pro perëndimore të Zaevit, si dhe rifilluar proceset diferencuese ndaj shqiptarëve për t’i rikthyer ata në gjendjen fillestare, si qytetarë të dorës së dytë në këtë shtet. Kjo do të kishte për pasojë reagimin e shqiptarëve në Maqedoni, të cilët do ta shihnin ekzistencen e tyre të kërcënuar nga rizgjimi i politikave të vjetra, përjashtuese dhe shtypëse ndaj tyre dhe zor se vendi do t’u shpëtonte përplasjeve etnike.

Intoleranca e theksuar etnike dhe albanofobia është shfaqur qysh tani, një muaj para referendumit. Kërcënimet për vdekje që mori një nga politikanët më të moderuar në Maqedoni dhe në Ballkan si Ziadin Sela, është një dëshmi e qartë e shtypjes së shqiptarëve atje. Sela u kërcënua vetëm pse bëri një kërkesë demokratike ndaj shtetit maqedon. Ai bëri të ditur se “Partia opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët do ta mbështesë referendumin që do të mbahet më 30 shtator, por kërkoi që faktori politik shqiptarë dhe maqedonas të nënshkruajnë marrëveshje brendashtetërore që të arrihet barazia etnike dhe në kuadër të ndryshimeve kushtetuese të futet gjuha shqipe si zyrtare”.

Sela foli për avancimin e statusit të shqiptarëve në Maqedoni, një kërkesë e natyrshme që tek e fundit shoqëron çdo fushatë për referendum apo zgjedhje politike, por që bie ndesh me konceptin sllavomaqedon për t’i mbajtur shqiptarët me një status të ulët dhe diskriminues. Kërcënimi ndaj Selës është i patolerueshëm dhe me shumë pasoja për të ardhmen e shtetit maqedon, pasi kjo frymë urrejtjeje mund të çonte në ndarje të vendit, për shkak se shqiptarët në Maqedoni, nuk do të lejojnë kurrë më që t’u vihen në pikëpyetje të drejtat e fituara. Shqiptarët në këtë shtet janë duke kërkuar një perspektive të qartë euroatlantike, dhe siguri që nuk do të përndiqen për idetë e tyre demokratike, përkatësinë etnike dhe gjuhën. Për ndryshe shqiptarëve do t’u duhet të kërkojnë të ardhme tjetër.

Pas dështimit të referendumit te qeverise, Shqiptarët etnikë ne Maqedoni do të duhet të mbanin një referendum ku të shprehnin deshiren e tyre se në cilin shtet dëshirojnë të jetojnë, në atë gjysëm Maqedoni, apo në një shtet të integruar në NATO si Shqipëria dhe me perspektivë të qartë për t’u anëtarësuar në BE. Nëse sllovo-maqedonasit duan ta shkatërrojnë Maqedoninë, ta bashkojnë me Bullgarinë apo ta bëjnë vend satelit të Rusisë, shqiptarët nuk kanë pse e pengojnë, por të shohin interesat e tyre kombëtare euroatlantike.

Related Posts

Acarimi i situatës në Maqedoni, do të zgjonte një valë protestash të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilët e kanë shprehur hapur dëshirën e tyre për t’u bashkuar me Kosovën, por do të rikthente në agjendën e politikës edhe të drejtat kombëtare të shqiptarëve etnikë në Mal të Zi. Nga këto lëvizje të imponuara, ku shqiptarët në rajon do të ishin të kërcënuar, Shqipëria si vend anëtar i NATO-s, do t’u dilte hapur në mbrojtje, duke implikuar direkt Aleancën e Atlantikut të Veriut.

  1. Tani në pyetje është nëse shqiptarët duhet ta shpejtojnë përsëri Maqedoninë me 30 shtator, apo jo? Shqiptarët në Ballkan, nuk duhet të pranojnë asnjë marrëveshje që kërcënon sigurinë dhe të ardhmen e tyre dhe për këtë duhet të ushtrojnë presion ndaj elitave të tyre politike në Tiranë, Prishtinë , Shkup, Podgoricë, Luginën e Preshevës etj. Shqiptarët kanë bërë marrëveshje me Greqinë dhe nuk i kanë vendosur asnjë kusht reciprok asaj, ndërsa Athina për çdo ndihmë që i ka dhënë Tiranës për çështje të integrimit euroatlantik, i ka vënë Shqipërisë kushte diskriminuese, biles poshtëruese.

Shqiptarët kanë bërë dhe po bëjnë marrëveshje me Serbinë dhe Prishtina nuk i vendos asnjë parakusht Beogradit, të paktën siç e do edhe praktika e partneritet reciprok ndërkombëtar, për të dëshmuar se po negociojnë dy shtete sovrane . Kjo ka patur për pasojë atë që Serbia i ka fituar të gjitha dhe është në paradhomën e BE-së dhe Kosova absolutisht asgjë. Biles tani, në përmbyllje të këtyre bisedimeve, Kosova po humbet edhe legjitimitetin ndërkombëtar dhe sovranitetin e njohur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe nga 116 shtete te botes, për t’i hequr pengesën e fundit dhe hapur autostradën Beogradit për në BE.

Shqiptarët etnikë në Maqedoni kanë qenë në kushte më të pafavorshme dhe të vështira. Të paktën gjatë dy dekadave të fundit Shqipëria ka treguar pak vëmendje ndaj avancimit të statusit të tyre atje, ndërsa Kosova e gjendur në kriza të panevojshme dhe të çuditshme, të brendshme, nuk ka treguar interes për shqiptarët në Maqedoni. Kështu që duke e përjashtuar rastin e unifikimit të qëndrimeve për largimin e ish-kryeministrit autoritarist Grueski nga pushteti , nuk kanë treguar se mund të bashkëpunojnë për gjëra me interes kombëtar. Tani është një tjetër rast që duhet ta bashkojë përsëri faktorin politik shqiptar në Maqedoni.

Siç jemi duke e parë, deri tani, shqiptarët po shkojnë në një referendum për emrin e ri të Maqedonisë pa i vënë asnjë kusht qeverisë së Maqedonisë për të avancuar statusin e tyre, ta zëmë sa komunat e vogla serbe ne veri të lumit Iber. Kjo është një dobësi e elitave politike në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, të cilat nuk duket se janë në gjendje të menaxhojnë edhe situatën që do të vinte në rast të dështimit të referendumit.

  1. Pas arritjes së një marrëveshje me qeverinë maqedonase lidhur me futjen e gjuhës shqipe ne kushtetutën e re si gjuhe zyrtare, krahas emrit te ri te vendit, pjesëmarrja e shqiptarëve në referendum nga pikëpamja ndërkombëtare do të kishte disa anë pozitive.

Së pari dëshmojmë se jemi një komb me orientim proatlantik aty ku jemi në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi apo në Luginën e Preshevës. Në fakt shqiptarët treguan këtë përcaktim euroatlantik tani së fundi edhe në Mal të Zi, duke qenë përcaktues për fitoren e qeverisë properëndimore në Podgoricës dhe për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Ndërkohë që pakicat serbe në këtë shtet e kundërshtuan me të gjitha mjetet orientimin e ri të shtetit të vogël malazez.

Së dyti, dëshmojnë se nuk ishin shqiptarët shkatërruesit e Maqedonisë, por vetë sllavomaqedonasit.

Së treti, SHBA-të, e mbështesin referendumin dhe ne duhet të jemi në të njëjtën valë me aleatët tanë perëndimorë.

Së katërti, tek e fundit një shtet i anëtarësuar në NATO apo edhe në perspektivë për t’u anëtarësuar në BE është më i prirur të sigurojë të drejtat kombëtare dhe të drejtat themelore të shqiptarëve. Shtetet demokratike e ruajnë si arsye të fundme luftën.

Ka plot shqiptarë në Tiranë, në Prishtinë apo edhe në Shkup që thonë se për çdo gjë duhet të presim sa të forcohet Shqipëria, Kosova e kështu me radhë dhe pastaj të shtrojmë heshtjet tona. Po të kishte pritur kështu UÇK, Kosova akoma do të ishte nën Serbi. Tek e fundit, shqiptarët në Maqedoni janë duke kërkuar demokraci dhe demokracia nuk pret, të drejtat kombëtare nuk presin, liritë themelore dhe perspektivat euroatlantike nuk presin, prandaj këshilla ma e mirë do të ishte që faktori politik shqiptar në Maqedoni të mbante një konference tjetër, ku të koordinoheshin mirë qëndrimet e tyre jo vetëm për referendumin për emrin, por edhe pas këtij referendumi në raport me zhvillimet ne rajon dhe në botë.

Konferenca do të kishte si qëllim të përcaktonte kushtet e tyre ndaj qeverisë maqedonase, meqenëse do të ketë ndryshime kushtetuese për emrin e ri të Maqedonisë të përfshihet në kushtetutë edhe njohja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në këtë shtet. (koha.mk)

(Autori është drejtor i gazetës “Nacional”)

 

 

 

Comments are closed.