Për Nijazi Muhamedin, tek shqiptarët në ditët e para nuk pritet ndonjë mobilizim serioz kundër Referendumit, edhe pse, sipas tij, nuk duhet të dalin blanko pa kërkesa reale. Për Pollozhanin, shqiptarët do të duhet t’i japin Referendumit dushk për gogla, sepse po të njëjtat ai do tu sjell shqiptarëve. Ndryshe mendon Ali Pajaziti: “Shqiptarët që mund të dalin kundër Referendumit, janë një masë indolente që mendojnë se Maqedonia është entitet që s’ka të bëjë me ta, që frymojnë si jashtështetëror e që nuk e lexojnë kontekstin sociologjik dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare”.
Fatos RUSHITI
Shkup, 7 gusht – Kryeministri Zoran Zaev javën e kaluar i shoqëruar nga kabineti qeveritar enkas në një konferencë për shtyp iu bëri apel të gjithë qytetarëve të Maqedonisë që të dalin në Referendum që do të mbahet më 30 shtator të këtij viti. Njëkohësisht, ai adresoi kritika ndaj opozitës duke theksuar se ata në këto momente historike për Maqedoninë, ajo tregohet e papërgjegjshme dhe nuk po sillet në mënyrë konstruktive. Mes tjerash, Zaevi tha se tani është koha për hapa të mëdha, koha për vendime patriotike. Nga ana tjetër, VMRO opozitare ende nuk ka një qëndrim të prerë për bojkot të Referendumit, ndërkohë në opinion ka pasur zëra se në moment të fundit do të tentohet të këtë marrëveshje me partinë e Hristijan Mickovskit që të mos e bojkotojë Referendumin.
NUK DO TË KALOJË PA ZËRA KUNDËRSHTUES
Pavarësisht kësaj, fushata për Referendumin nuk do të kalojë pa zëra kundërshtues nga të dyja palët, maqedonase dhe shqiptarët. Se cilat grupe dhe cilat do të jenë motivet, analistë dhe sociologë politike kanë mendime të ndryshme. Publicisti Nijazi Muhamedi thotë për gazetë KOHA se rreth Referendumit deri tash janë thyer vetëm shpatat “pro” apo “kundër” ndërmjet VMRO-së dhe LSDM-së në unison me satelitët e tyre “koalicionues”. Sipas tij, ka pasur dhe ka edhe “paralajmërime” nga grupime të vogla politike maqedonase të gjoja ekstremit politik apo të konfuzionit gjeopolitik.
“Por, dihet që realisht ‘fatin’ e Referendumit mund ta përcaktojë VMRO, e cila nuk mund edhe aq kollaj të marrë një vendim kundër Referendumit, sepse pikërisht për të vendimi me dalje në kundër është një shpatë me dy tehe: nga forca e reduktuar mobilizuese ka ndodhur vota e saj ‘kundër’ mund vetëm ta legjitimojë procedurën demokratike të fitores ‘pro’ që pretendon jo aq kuturu ta nxjerrë si fitore të saj ana e votës ‘pro’ e Referendumit”, thotë Muhamedi. Nëse VMRO-ja, vazhdon ai, mund ta marrë me gjithë mend pretendimin e vet për ta nxjerrë të humbur Referendumin, pra të merr drejtimin e bojkotimit, por edhe kësaj radhe, sipas Nijazi Muhamedit, ajo ka gjasa të përballet me pasiguri në forcën e munguar mobilizuese përtej caqeve të klientelës partiake.
“Mund të ndodhë që pjesën e heshtur të elektoratit të VMRO-së ‘pro referendumit’ dhe ‘pro NATO’ ta aktivizojë vetëm me një shkelje syri bile Borisovi i Bullgarisë se sa Mickovski i VMRO-së”, thotë Muhamedi. Sa i përket anës shqiptare, ai shprehet se ajo mund të bëhet përcaktuese e fitores “pro”, por jo kështu si pretendojnë përfaqësuesit e degraduar politikisht dhe moralisht të saj dhe “tutori” politik i tyre – LSDM, si një rol përcaktues për përfitime të tyre dhe shlyerje apo hapje pazaresh, duke e vënë në tuxhari të pandershme politike vullnetin demokratik të saj për dobi të të tjerëve dhe për dëm të fateve politiko-demokratike të saj”.
“Pra, ana shqiptare mund të faktorizohet vetëm nëse mobilizimin pro Referendumit e kushtëzon me futjen si pjesë integrale të ndryshimeve kushtetuese edhe qartësimin dhe ridefinimin e statusit të tyre juridiko-kushtetues si etni e dytë në bashkështetformimin e Maqedonisë, sepse Marrëveshja për emrin ka gërryer institucionalisht mosnjohjen, mohimin e identitetit shqiptar dhe me këtë – ka gërryer edhe atë status që ishte definuar me ambiguitete juridike dhe semantikisht konfuze në Marrëveshjen e Ohrit”, thotë Muhamedi. Por, ana shqiptare, sipas tij, mund të faktorizohet vetëm nëse fati i deklarimit pro Referendumit nuk lihet në duart e xhambazëve politik aktualë (nga të gjithë pa dallim).
“Në këto ditë të para, përveç mjegullisë që zotëron në opinion ose përpëlitjeve të tjera politikisht konfuze, ende nuk mund të pritet ndonjë nismë mobilizimi që do të fuste një qartësi drejtimi apo përcaktimi të anës shqiptare rreth Referendumit”, thekson Nijazi Muhamedi.
INATI I SHQIPTARËVE NXIT BOJKOTIN TEK MAQEDONASIT
Për sociologun politik Ali Pajaziti, grupimet që do të tentojnë ta pengojnë suksesin e Referendumit ose ta sabotojnë atë – me gjasë do jenë një pjesë e mirë e ithtarëve të VMRO-DPMNE-së që, siç thotë Ali Pajaziti, janë ngulitur si struci në një identitet të paqenë dhe irreal, në atë të maqedonizmës antike. “Reagimi i tyre do të jetë dykahësh, e para kundër Greqisë – një pjesë e historisë e të cilës është kidnapuar dhe e dyta, për të mos qenë me një tabor me shqiptarët, të cilët i shohin si rrezik i brendshëm kundër shtetit, të cilin nga nga 1991-i dhe 2006 herë Georgievski e herë Gruevski kanë tentuar ta monopolizojnë, ta paraqesin si pronë e tyre”, thotë për KOHA, Pajaziti. Një grupim tjetër, vazhdon ai, që do nxisë mosdalje do të jenë edhe intelektualët ekstremistë e ultra-patriotë maqedonas, nga Akademia e kooptuar nga gruevizmi, që ende nuk është esëlluar.
“Në taborin shqiptar, problem do të jetë mobilizimi i kategorisë efeminë (grave) dhe i pleqve, sepse zakonisht ndër shqiptarë, në raste të tilla dalin vetëm meshkujt dhe do jetë shumë rëndë që të motivohen kryeparët që t’i nxjerrin edhe këto kategori sociale që ta thonë PO-në ose JO-në e tyre”, thekson Pajaziti. Shqiptarët që mund të dalin kundër Referendumit, sipas Pajazitit, janë një masë indolente që mendojnë se Maqedonia është entitet që s’ka të bëjë me ta, që frymojnë si jashtështetëror e që nuk e lexojnë kontekstin sociologjik dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare.
POLLOZHANI: SHQIPTARET FITOJNË GOGLA DUSHKU
Ndryshe nga Ali Pajaziti, kryetari i Shoqatës së ish të Burgosurve Politik Shqiptarë, Shpëtim Pollozhani, thotë se votuesit shqiptarë duhet t’i japin Referendumit aq sa do të marrin nga ai, dhe siç thotë ai, do të marrin gogla dushku, “pra gogla dushku duhet t’i japin”.
“Maqedonasit bëjnë punët e veta. Ku janë shqiptarët e ngratë që nuk u fut kashtë askush, ata shqiptarët në pushtet, vetëm rolin e tellallit e luajnë të ngratët. Partitë politike shqiptare nuk i sqarojnë opinionit shqiptar asgjë përveç se, blegërimës BEEEE dhe NATO”, thotë Pollozhani. Maqedonasit, sipas, tij, e përfitojnë një identitet të ri që nuk u heq atyre asgjë nga identiteti i vjetër, kurse shqiptarëve me emrin e ri të shtetit, u kufizohet shprehja e identiteti kombëtar. “Çdo individ ose kolektiv e ndërmerr një aktivitet në bazë të asaj që e fiton. Shqiptaret fitojnë gogla dushku nga ky referendum. Mjaft më me përdorimin e Rusisë si gogol për t’i trembur fëmijët. Muri sanitar ka përfunduar në Bullgari, Rumuni, Letoni, Lituani dhe Estoni. Shqiptarët duhet të paraqesin kërkesa. Dhënia e votës blanko është servilizëm dhe tradhti kombëtare. Unë severnomakedonec. Jo ishalla, s’bëhet kurrë”, thotë Pollozhani. Për të, “VMRO e luan valsin e vetë lamtumirës, ata flasin një gjuhë dhe merren vesh bukur mirë me njëri-tjetrin pasi ndërmjetësues e kanë Akademinë e vetë të Shkencave, i kanë disa dhjetëra institute dhe institucione, me të cilët konsultohen dhe ulen bashkë”. Lëshimet e LSDM-së për Qeveri teknike dhe katër lëshime të tjera që iu bënë VMRO-së, thotë Pollozhani, “dëshmon se edhe VMRO-istët do të jenë pro Referendumit, por duhet pazari të nxjerrë edhe amnisti për kriminelët e 27 prillit 2017”. (koha.mk)