Qeveria katalonase po përgatitet që më 1 tetor ta mbajë referendumin për ndarje nga Spanja, akt për të cilin thotë se do të jetë i detyrueshëm juridikisht. Katalonasit do të pyeten nëse dëshirojnë të krijojnë republikë të pavarur. Mirëpo, ekziston një problem: Kushtetuta demokratike e Spanjës e vitit 1978, e cila është miratuar nga më shumë se 90% e votuesve katalanas, u jep rajoneve autonomi të gjerë por e afirmon “unitetin e pandashëm të kombit spanjoll”. Katalonia ka 7.5 milionë banorë (16% të popullsisë së përgjithshme të Spanjës) dhe përbën 19% të GDP-së kombëtare, si njëri ndër rajonet më të pasura spanjolle, njofton Klan Kosova. Është pjesë e Spanjës që nga shekulli 16, por ka kulturën dhe gjuhën e vet. Deri së voni, nacionalistët katalanas të udhëhequr nga Carles Puigdemont ishin të kënaqur me qeverisjen. Por, dy gjëra ndikuan që të ndryshojë ky disponim. Së pari, Tribunali Kushtetues i Spanjës refuzoi pjesët e statutit të ri që do t’i jepte Katalonisë më shumë autonomi. Së dyti, politikanët nacionalistë në Barcelonë kanë arritur sukses në orientimin drejt Madridit të mllefit popullor që eskaloi pas krizës që erdhi si rezultat i masave të ashpra të kursimit pas krizës së madhe në financiare në vitin 2009. Sipas një hulumtimi të opinionit publik, aktualisht 41% të katalanasve janë pro pavarësisë. Qeveria e Spanjës e ka pranuar se pas referendumit do t’i diskutojë ndryshimet kushtetuese me qëllim që ta mbajë Kataloninë brenda sistemit shtetëror.