Shqiptarët, edhe pse pjesa dërmuese e tyre kanë trungun e tyre elektoral, do të mund të ndryshonin disponimin duke ndëshkuar pikërisht atë politikë që i detyron ata të falin eksponentët e ish-regjimit në emër të do interesave të vogla politkaneske. LSDM dhe VMRO mund të merren vesh për shumë çështje, por jo edhe për ato që dëmtojnë një proces të tërë, ku shqiptarët sërish mund të jenë viktimë
Nga Emin AZEMI
Maqedonia e ka vështirë të bëjë ndonjë reformë të njëmendët, që tash e sa vite kërkohet nga Brukseli, sidomos tani kur është caktuar data e fillimit të negociatave, për arsye se tendenca për antireformë, që fillon nga gjyqësia, është katalizatori kryesor i frenimit të proceseve demokratike. Përderisa antireforma është më e fuqishme se reforma dhe përderisa politika ende po taktizon në kursimin e të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj”, vështirë se do të ndodhë ndonjë vjeshtë e ndryshimeve të mëdha, siç po pretendon politika zyrtare dhe shoqëria civile në përgjithësi.
Ndërmarrjet e guximshme të Prokurorisë Speciale, për të inkurajuar denoncimin e krimit dhe korrupsionit, duhet patjetër të kenë një mbështetje më të fuqishme në shoqëri dhe në qarqet diplomatike. Këto të fundit si tepër u morën me menaxhimin e krizës politike, por jo edhe me imputet që politika e keqe i ka injektuar në sistemin gjyqësor e administrativ të vendit. Mbase, të kota do të ngelin të gjitha përpjekjet e ndërkombëtarëve për një kurs të qartë politik të Maqedonisë, përderisa në brendinë e vlimeve dhe fërkimeve mbetet e paprekur qeliza që prodhon më së tepërmi deformim dhe regres, siç është kultura e mosndëshkimit të krimit institucional, sidomos mbetjet e ish-regjimit.
Amnistia, e përfolur aq shumë ditëve të fundit, sidomos pas takimeve të liderëve që u mbajtën javën e kaluar, po përdoret nga opozita si ‘pykë’ në të cilën po shpresojnë të varin shumë kauza të parealizuara deri më tani. Kryeiminstri Zaev deklarativisht është treguar mjaft i vendosur në mostregëtimin e amnistisë për qëllime politike, sidomos në kontekst të referendumit, mirëpo burime afër kryeministrit janë skeptikë në këtë vendosmëri dhe ka të ngjarë që në pakon e lëshimeve politike të hyjë edhe amnistimi i figurave të larta të VMRO-së, të përfshirë në afera korruptive dhe kriminale.
Nëse Zaevi me të drejtë ishte një hero që u vu në ballë të luftës politike kundër regjimit të kaluar, duke demaskuar detajisht gjithë skemën e funksionimit të praktikave abuzive e mafioze, tani pas etablimit të tij në pushtet, gjithçka që shkon kundër kauzës së tj opozitare, sidomos kundër degruevizimit të plotë të shoqërisë dhe institucioneve, do të kthehej në bumerang për vetë atë, por edhe për një front më të gjerë demokratik, i frymëzuar nga vet Zaevi.
Pazaret politike gjithmonë e kanë dëmtuar demokracinë e një vendi. Referendumi që pritet të mbahet në fund të shtatorit, nuk duhet të jetë objekt kalkulimesh meskine, sepse lajtmotivi që ka brenda ky referendum është më sublim se çfarë do lloj interesi që prodhon mirëkuptim të rrejshëm politik në mes të oponentëve. Edhe opozita e udhëhequr nga VMRO duhet ta kuptojë se mbajtja me çdo kusht e banditëve në radhët e saja, si kompensim i favoreve që jep pajtimi brendakombëtar maqedonas, në fakt është rrugë e gabuar në të cilën politikanët duan ta fusin të ardhmen e këtij vendi. Të flijosh një proces të mbarë politik, për një tufë opozitarësh, të cilët e kanë vendin në burg e që u bënë oligark duke shkatërruar ekonominë e vendit, është një ‘harakiri’ që politika aktuale duhet ta evitojë e çdo kusht.
Zaevi, si një përfaqësues që ka dëshirë të prezantohet si ‘i të gjithëve’ nuk e ka miratimin e atyre në emër të të cilëve ai flet. Nuk e ka as miratimin e shqiptarëve, pa të cilët nuk ka as referendum të suksesshëm, as hyrje në NATO. Shqiptarët, edhe pse pjesa dërmuese e tyre kanë trungun e tyre elektoral, do të mund të ndryshonin disponimin duke ndëshkuar pikërisht atë politikë që i detyron ata të falin eksponentët e ish-regjimit në emër të do interesave të vogla politkaneske. LSDM dhe VMRO mund të merren vesh për shumë çështje, por jo edhe për ato që dëmtojnë një proces të tërë, ku shqiptarët sërish mund të jenë viktimë. (koha.mk)