Referendum kundër librave digjital

28

Dragana Spasevka nga iniciativa qytetare “Libra dhe mësim patjetër të ketë”, për gazetën KOHA, është shprehur se e kanë dërguar tashmë iniciativën për fillimin e Referendumit dje dhe se presin që brenda tre ditësh, kryetari i Parlamentit – Talat Xhaferi, të përgjigjet nëse pranohet apo jo iniciativa dhe më pastaj të fillojë mbledhja e 10.000 nënshkrimeve

Zenel MIFTARI

Shkup, 18 maj – Iniciative qytetare “Libra dhe mësim patjetër të ketë”, gjatë fundjavës kanë realizuar protesta në disa qytete të vendit kundër digjitalizimit të librave shkollor në arsimin fillor. Ndërkohë, iniciatorët e protestave kërkojnë organizimin e një referendumi, ku do t’ju jepet mundësia prindërve të votojnë “pro” apo “kundër” ndryshimeve në arsimin fillor. Përmes referendumit, prindërit dëshirojnë që t’i ndalojnë ndryshimet e fundit në arsimin fillor që për një pjesë të tyre janë të dëmshme dhe që vendi ynë ende nuk është në gatishmëri të plot për t’i realizuar këto reforma. Nga kjo iniciativë, gjithashtu thonë se nuk janë të kënaqur me bisedimet me Ministrinë e Arsimit dhe thonë se ligjet dhe vendimet merren pa u konsultuar me palët që i prekin këto ndryshime siç janë nxënësit, prindërit dhe arsimtarët.

Dragana Spasevka, nga iniciativa qytetare “Libra dhe mësim patjetër të ketë”, për gazetën KOHA, është shprehur se kanë dërguar iniciativën për fillimin e referendumit dje dhe se presin që brenda tri ditëve kryetari i Parlamentit – Talat Xhaferi, të dërgoj përgjigje deri te ata se a është në rregull iniciativa dhe më pastaj të fillon mbledhja e 10.000 nënshkrimeve. “Numri më i madh i prindërve dhe arsimtareve janë kundër digjitalizimit të librave shkollor – asnjëri prej tyre nuk e përkrah këtë iniciativë dhe si e tillë nuk guxon të kaloj. Ligji nuk është në interes të shëndetit fizik dhe mental të fëmijëve tanë dhe zhvillimit të potencialit të tyre”, shtoi ajo.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), thonë se është absurde të protestohet kundër digjitalizimit të arsimit, duke pasur parasysh se është një proces global që zhvillohet në shumë vende të botës. Ata shtojnë që vendi ynë duhet ta ndjek trendin global që t’ju afrohet cilësisë moderne të arsimit. “Ne ju bëjmë thirrje të gjithë atyre që duan të kontribuojnë në përmirësimin e zgjidhjes ligjore që ligji është në dispozicion në faqen tonë të internetit. Të gjithë qytetarët e interesuar mund ta bëjnë këtë përmes disa kanaleve për komunikim të drejtpërdrejtë me ne. Ky komunikim vazhdon për të punuar në mënyrë transparente, të hapur ashtu si më parë, për të krijuar të gjitha ndryshimet përmes një debati të gjerë publik dhe një procesi gjithëpërfshirës me pjesëmarrjen e palëve të interesuara”, thonë nga MASH. Nga MASH, shtojnë se ndryshimet janë gjithashtu një përgjigje ndaj kërkesave afatgjata të mësuesve dhe shumë brezave të studentëve. “Pikërisht për shkak të interesit të tyre dhe ofrimit të arsimimit më të mirë, dhe kështu një të ardhme më të mirë, për t’u bashkuar në përpjekjet dhe për të mundësuar zhvillimin dhe realizimin e plotë të potencialit personal brenda kufijve të vendit tonë”, përfundojnë nga MASH.

Ndërkohë nga ana tjetër MASH-i, ligjit për digjitalizimin e librave shkollor i ka vendosur flamurin evropian i cili kur të arrij në Kuvend do të kaloj përmes Komisionit për Çështje Evropiane dhe jo përmes Komisionit për Arsim dhe Shkencë. Nga iniciativa qytetare, kanë deklaruar se kjo është bërë me qëllim sepse kalimi i propozim-ligjit nëpërmjet Komisionit për Çështje Evropiane, parandalon bllokadën nga amendamentet që mund të propozoj opozita, sepse sipas procedurës diskutimi në Komisionin e Çështjeve Evropiane zgjat më së shumti dy ditë dhe menjëherë pas kësaj propozim-ligji shkon në seancë plenare dhe pas diskutimit hidhet në votim. (koha.mk)