Kryeministri Zoran Zaev nuk i hedh poshtë zgjedhjet e parakohshme parlamentare si opsion i mundshëm para se të bisedohet për anëtarësimin në NATO dhe BE, nëse, siç thotë, këtë e garanton procesi i suksesshëm i referendumit.
Sipas tij, vlen vëmendja kur opozita kërkon zgjedhje, sepse, siç thotë, ka qenë në opozitë para një viti.
“E di se ia vlen të ulet dhe të bisedohet, natyrisht nëse këtë e garanton procesi i suksesshëm i referendumit si proces. Qytetarët do të shprehen në vetë procesin, por nëse ka sukses procesi për ta arritur censusin që t’i motivojmë qytetarët të dalin për një çështje të tillë historike, të gjitha opsionet janë të hapura e madje edhe ky, kështu që së bashku këtë do ta shqyrtojmë”, deklaroi Zaev, dje duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve pas fillimit të ndërtimit të fabrikës së kompanisë amerikane “Dura” në Bunarxhik.
Ai pret që deri në fund të javës të rrumbullaksohet procesi rreth datës, çështjes dhe karakterit të referendumit për emrin.
“Presim deri në fund të javës së bashku me liderët politikë, përfaqësuesit e partive politike parlamentare, t’i definojmë për atë që afatet grumbullohen, koha grumbullohet nëse dëshirojmë t’i kapim datat 23 shtator, 7 tetor, si data të projektuara”, deklaroi Zaev.
Ai theksoi se vazhdojnë bisedimet rreth ligjit për financimin e partive politike dhe përzgjedhjen e KSHZ-së, pjesën rreth qeverisë teknike, Procesit të Përzhinës…
Kryeministri nuk e përjashton mundësinë për revokimin e takimit të liderëve në rast se grupet punuese të partive parlamentare deri në fund të javës nuk arrijnë marrëveshje.
Për ofertën nga lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, Zaev të mos tërhiqet 100 ditë para zgjedhjeve, ndërsa megjithatë të ketë Qeveri teknike, kryeministri tha se në një situatë të tillë do të veprojë në pajtim me definimin në Ligj.
“Në Ligj qëndron se kryeministri tërhiqet 100 ditë para Qeverisë dhe nuk kam ndërmend tekstualisht të përmbahem deri në këtë vend nëse kjo kështu është definuar në ligj. Unë jam njeri i relaksuar dhe kjo do të më japë ,më shumë kohë për fushatë për zgjedhje kurdo që do të ndodhin”, tha Zaev.
Sipas tij, nuk ka alternativë për Republikën e Maqedonisë përveç anëtarësim të barabartë në BE dhe në NATO.
“Nëse janë të gatshëm krah për krahë për ardhmërinë euroatlantike të Maqedonisë tonë të përbashkët pas të cilës qëndrojmë të gjithë, atëherë qëndroj në dispozicion për të biseduar për gjithçka. Por duhet të definojmë, nëse jemi për NATO dhe BE këtë do ta mbështesim. Nuk mund të jemi për NATO dhe BE dhe të jemi kundër proceseve të tilla të cilat e sollën Maqedoninë para NATO-s dhe BE-së. Është e ndershme të gjithë liderët t’i marrin pozitat e tyre, të dalin në shesh, sepse kjo është më së paku që u kemi borxh qytetarëve”, tha Zaev.