Mesfushori Fernando Redondo, veshi fanellën e Milanit në vitin 2000, por ishte i pafat, pasi aventura e tij me 7 herë fituesit e Championsit, u shoqërua me dëmtime të rënda, që e mbajtën atë gjatë jashtë fushave të blerta. Argjentinasi arriti të fitonte Ligën e Kampionëve me kuqezinjtë në vitin 2002, por pa qenë protagonist, teksa u aktivizua vetëm 33 ndeshje në katër sezone me Milanin.
Në një prononcim të dhënë së fundmi për “Marca”, 50-vjeçari argjentinas ka zbuluar disa prapaskena tepër interesante nga koha kur ai ishte futbollist i skuadrës italiane.
“Berluskoni më telefonoi personalisht që të bëhesha pjesë e Milanit. Ata ofruan 18 milionë euro, për një futbollist 31-vjeçar, ndërkohë që te Reali më shtynë që të pranoja ofertën. Kisha vlerësim për kuqezinjtë”. Në intervistën e tij, Redondo kujton ardhjen e ish-presidentit të Milanit, Berluskoni, në një seancë stërvitore me helikopter.
“Ishim duke u stërvitur në Milanello dhe befas mbërriti një helikopter. Ishte Berlusconi, i cili zbriti, na përshëndeti dhe na mbajti një lloj fjalimi teknik”.
Ai foli gjithashtu edhe për periudhën e vështirë që kaloi me dëmtimin e ligamentit të gjurit të djathtë, teksa u shpreh: “Sistemi i stërvitjes ishte i ndryshëm, me shumë ngarkesë zike dhe punë shumë të fortë. Unë nuk thashë asgjë, pak edhe nga krenaria, por isha i këputur në aspektin muskulor.
Dëmtova ligamentet e gjurit tim të djathtë, nuk munda të luaja sa duhej. Mendoni, shkova te Milani dhe isha në gjendje të debutoja atje vetëm dy vite më vonë. Një çmendur”, u shpreh Redondo.