Që nga viti 1999 kur UNESCO kishte shpallur 21 shkurtin ditë ndërkombëtare të gjuhës amtare, çdo vit në mbarë botën organizohen manifestime në nivel kombëtar e ndërkombëtar, me qëllim të ruajtjes dhe promovimit të gjuhëve amtare. Si e tillë ajo festohet më 21 shkurt të çdo viti. Qëllimi i saj është promovimi dhe ndërgjegjësimi për diversitetin gjuhësor dhe kulturor si dhe promovimin e shumëgjuhësisë
Nga Asllan HAMITI
Dihet se procesi i përkthimit të tekstit, të redaktimit profesional dhe gjuhësor është punë intelektuale e vështirë dhe me përgjegjësi. Ky art i krijimit të tekstit në gjuhën e synuar (B) nga gjuha e burimit (A) duhet të kalojë nëpër tri faza kryesore: a) përkthimin, b) redaktimin profesional dhe c) reaktimin gjuhësor. Me të drejtë thuhet se përkthyesi është një krijues i dytë. Përkthimi i dobët e largon lexuesin nga vepra dhe nga autori. Redaktimi ashtu si edhe përkthimi është art më vete. Këtë veprimtari duhet ta bëjnë njerëzit profesionistë me bashkërendimin e punëve individuale ose punës në grup.
Në këtë kumtesë, duke u mbështetur edhe në përvojën personale, do të shtjellojmë punën serioze e me përkushtim që duhet të bëjnë jo vetëm përkthyesi, por edhe redaktori profesional e ai gjuhësor. Prodhimi përfundimtar do të jetë cilësor nëse përkthimi do të kalojë nëpër të gjitha fazat e përkthimit. Jo vetëm teksti i përkthyer, por edhe shkrimet origjinale në gjuhë amtare duhet rilexuar, ndrequr e përmirësuar për ta sjellë në formën e duhur përfundimtare. Shumëkush mendojnë gabimisht se shkrimtarët apo përkthyesit janë njerëz që kanë prirje të madhe për të shkruar, prandaj nuk hasin në kurrfarë vështirësish gjatë hartimit a përkthimit të veprave. Mirëpo, ata që kanë pasur mundësi të gjurmojnë punën krijuese të shkrimtarëve, flasin ndryshe. Për kujdesin dhe mundin e tyre dëshmojnë shënimet e shumta që na kanë lënë shkrimtarët dhe versionet e shumta të veprave, deri në formën përfundimtare të tyre.
Të gjithë ata që kanë provuar të hartojnë madje edhe një tekst prej 5-6 rreshtash, qoftë edhe një shkresë të thjeshtë administrative, artikull gazetaresk, apo një punim të shkurtër do të pohojnë se nga forma e parë shkrimore e deri në formën përfundimtare duhet bërë shumë punë me përkushtim. Një praktikë e përmirësimit të veprave edhe pas botimit ndiqet me ribotime (deri më dhjetëra herë), duke përmirësuar ato jo vetëm në përmbajtje, por edhe në gjuhë e stil, duke hequr gjërat e panevojshme, përditësuar e ngritur cilësinë e veprës. Gjërat jo të mira mund të ndreqen, gjërat e mira mund të bëhen edhe më të mira. Prof. Xhevat Lloshi në librin Stilistika dhe pragmatika, Tiranë, 1999 na sjell të dhëna shumë domethënëse për këtë çështje. Sipas këtij albanologu “Shumica e shkrimtarëve kanë mbajtur shënime në fletore të veçanta, duke regjistruar me kujdes fjalë e fraza të ndryshme, të cilat i kanë dëgjuar në popull ose i kanë gjetur të shkruara nëpër libra, revista, gazeta etj., që dëshmojnë zellin e tyre në lëvrimin e gjuhës. Kështu, siç dihet, Maksim Gorki nuk e kishte dorëzuar një tregim në shtyp në kohën e paraparë derisa iu kujtua një fjalë e nevojshme që assesi nuk i kujtohej. Floberi shkruan se “po mbushet gati një muaj qyshkur po përpiqem të gjej katër fraza të shkreta që po më nevojiten.”
Balzaku në një letër pohon se “secilën faqe e kam shkruar nga 50 deri më 60 herë. Nuk ka asnjë tabak shtypi ndër veprat e mia, që të mos e kam korrigjuar nga 17, 18 apo 19 herë”. Gogoli, duke folur për punën e vet krijuese, shprehet se “së pari duhet të hudhen në letër që të gjitha, ashtu siç i bien ndërmend njeriut, qoftë edhe keq, turbull dhe duhet harruar ajo fletore. Pas një a dy muajsh, herë-herë edhe më tepër lipset të merret dhe të lexohet ajo që është shkruar: Do të shihni se shumë sende nuk qëndrojnë ashtu, se ka shumë gjëra të tepërta, e që aty-këtu mungon diçka. Bëni korrigjimet dhe vërejtjet në margjinë dhe përsëri lëreni fletoren. Pas një kohe, këtë version kopjojeni me dorën tuaj. Gjatë kësaj pune vetvetiu do të lindin mendime të reja, shkurtime, shtesa, pastrimi i stilit, ndërmjet fjalëve të mëparshme do të lindin fjalë të reja, të cilat e kanë vendin aty medoemos, por që, nuk e di pse, nuk shfaqen menjëherë…”. Shembujt e sjellë nga puna e kujdesshme që kanë bërë disa nga shkrimtarët më të mëdhenj botërorë na bëjnë shumë të qartë se sa herë që shkruajmë, qoftë tekste origjinale apo të përkthyera, duhet me patjetër që punën tonë ta rishikojmë disa herë, përkatësisht ta lexojmë me syrin kritik, ta rilexojmë sa më shumë aq më mirë, ta përmirësojmë e të shkrijmë gjithë dijen tonë.
Me fjalë të tjera, teksti i përkthyer së pari duhet të redaktohet nga vetë përkthyesi. Kuptohet se gjatë redaktimit, përkthyesi duhet të shfrytëzojë programin kompjuterik për përmirësimin e gabimeve drejtshkrimore, të konsultojë materiale të tilla a të ngjashme të botuara, të konsultojë nëse është nevoja edhe kolegë e profesionistë të fushës, fjalorë shpjegues, drejtshkrimorë, terminologjikë, dygjuhësh e shumëgjuhësh, fjalorë enciklopedikë etj. Pasi ta ketë kryer me kujdes redaktimin të tekstit të përkthyer, materiali duhet lexuar, kontrolluar e përmirësuar nga një profesionist i fushës së lëmit të tekstit të përkthyer. Redaktori profesional është mirë të jetë specialist i fushës, ai që njeh mirë gjuhën e specializuar, përkatësisht termat përkatës. Fjala vjen, për një tekst të përkthyer nga maqedonishtja në shqip që i përket stilit shkencor, fushës së Të drejtës ndërkombëtare, redaktori profesional duhet të ishte jo vetëm jurist, por specialist i Të drejtës ndërkombëtare; për një tekst mësimor të përkthyer për shkolla të mesme të mjekësisë – redaktori profesional duhet të jetë së paku mjek etj. Të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore kanë ligjërimin profesional me përplot emërtesa. Vetëm specialisti njeh mirë gjuhën e specializuar, përkatësisht termat. Siç kanë konstatuar stilistët, në stilin shkencor pjesa e leksikut të përgjithshëm mund të bjerë deri përgjysmë. Gjysma tjetër i takon leksikut shkencor. Këtë leksik shkencor e njeh mirë vetëm profesionisti i fushës. Në praktikën e deritashme të përkthimit në Maqedoninë e Veriut përgjithësisht na ka munguar redaktimi profesional. Mendojmë se në të ardhmen tekstet e përkthyera medoemos duhet të kalojnë nëpër glosarin terminologjik të redaktorit profesional.
Pas redaktimit profesional, tekstit të përkthyer si edhe çdo teksti tjetër, duhet bërë një redakturë gjuhësore, shpeshherë të quajtur edhe lekturë ose korrekturë. Redaktori gjuhësor apo siç e quajnë edhe “rojtari” i rregullave gjuhësore e ka për detyrë tekstin e përkthyer ta shqipërojë, përkatësisht ta sjellë në formën sikur të jetë shkruar drejtpërdrejt në shqip. Ai duhet t’i bëjë të gjitha përmirësimet e nevojshme si dhe të kujdeset për tekstin edhe pas përpunimit teknik e deri në botimin përfundimtar. Gjuha e tekstit duhet kundruar e rregulluar në çdo pikëpamje: kuptimore, leksikore, morfosintaksore, stilistike, drejtshkrimore dhe se teksti i përkthyer është barasvlerës me origjinalin. Praktikën e redaktimit profesional e gjuhësor e zbatojnë edhe shtetet e tjera të Evropës, përfshirë edhe vendet ballkanike. Po mjaftohemi me këtë rast të përmendim praktikën e kujdesit që tregojnë individët dhe institucionet për përdorimin e maqedonishtes standarde. Këshilli për gjuhën maqedonase, që funksionon në kuadrin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në dhjetor të 2019 ka hartuar dhe dorëzuar për miratim po të njëjtit institucion një Propozim-ligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për përdorimin e maqedonishtes. Me ndryshimet e propozuara ngritet, përforcohet e fuqizohet edhe më tej përdorimi i maqedonishtes standarde. Me këtë rast nuk e shohim të udhës të interpretojmë këtë ligj, por do të sjellim vetëm disa përgjithësime që na u dukën më të rëndësishme:
– çdo tekst i shkruar me karakter publik (ligjet, shkresat, formularët, shtypi, propagandat, reklamat, shkrimi në ambalazhin e produkteve, mbishkrimet, tabelat, udhërrëfyesit, shenjat e trafikut, librat, punimet e magjistraturës, tezat e doktoratit e çdo gjë që ta sheh syri, qoftë edhe një fjali apo një fjalë e vetme) duhet shkruar në maqedonishten standarde dhe domosdoshmërisht duhet lekturuar;
– lekturimin duhet ta bëjnë lektorët e licencuar;
– në 20 vitet e fundit, që kur ka filluar zbatimi i Ligjit për përdorimin e maqedonishtes, janë licencuar mbi 432 lektorë;
– në këtë Ligj (me nenin 37) janë paraparë edhe gjoba për ata që nuk respektojnë dispozitat e tij. Përkatësisht, dënim në vlerë prej 500 deri më 2 000 eurosh në kundërvlerë në denarë do t’i shqiptohet personit juridik, nëse:
– nuk e përdor maqedonishten standarde;
– nëse publikon tekst të palekturuar në maqedonishten standarde, ose
– publikon tekst të lekturuar që nuk përmbush standardet e lekturimit.
PËRFUNDIM ME REKOMANDIME
Për të siguruar në të ardhmen tekste më cilësore të shkruara në shqipen standarde, përkthyesit duhet ta bëjnë punën me seriozitet, përkushtim e profesionalizëm. Tekstin e përkthyer duhet ta rimarrin disa herë për të dhënë një prodhim sa më të mirë. Tekstet e përkthyera që i përkasin një fushe të specializuar të veprimtarisë njerëzore me patjetër duhet të kalojnë nën thjerrëzën e redaktorit profesional. Të gjitha shkrimet në shqip me karakter publik (origjinale apo të përkthyera), doemos duhet lekturuar nga njohës të mirë të normave të shqipes standarde.
Për të siguruar këtë, si dhe përgjithësisht zbatimin Ligjin për përdorimin e shqipes në Maqedoninë e Veriut (në formën e shkruar dhe të folur) në çdo institucion, përveç përkthyesve nga shqipja në maqedonisht e anasjelltas, duhet punësuar lektorë të shqipes. Në mungesë të lektorëve të licencuar për shqipen (sepse nuk kemi institucion që jep licencë të tillë) detyrën e lektorit mund ta kryejnë të diplomuarit në Gjuhë e letërsi shqiptare (me notë mesatare mbi 8), po edhe magjistra e doktorë të gjuhësisë shqiptare. (koha.mk)