Tetovë, 24 maj – Në Reçicë të Madhe, me një ceremoni solemne dhe fetare, të martën është inauguruar Xhamia e Re, ku krahas xhematit të kësaj xhamie në këtë inaugurim kanë marrë pjesë shumica e imamëve të Tetovës dhe rrethinës së bashku me myftiun e Myftinisë së Tetovës, Qani Efendi Nesimin, shkruan gazeta KOHA. Ndërtimi i kësaj xhamie kishte filluar në marsin e vitit të kaluar dhe pothuajse në një kohë rekord, e njëjta është përfunduar sipas të gjitha standardeve dhe që plotëson nevojat e besimtarëve të Reçicës së Madhe.
Kjo xhami është ndërtuar me iniciativë dhe kontributin e vet banorëve të njërës prej lagjeve të Reçicës së Madhe, ku është ndërtuar edhe vet xhamia, por një kontribut të veçantë në ndërtimin e këtij objekti fetarë ka familja Bajrami nga Reçica e Madhe, e cila kishte ndarë tokën për ndërtimin e xhamisë në fjalë. Me këtë rast, përpara xhematit të “Xhamisë së Re” në Reçicë së Madhe, fjalë përshëndetëse ka mbajtur myftia i Myftinisë së Tetovës, Qani efendi Nesimi. “Është një ditë e madhe për të gjithë besimtarët e kësaj treve, sepse është ndërtuar një xhami në një vend të dhuruar nga familja Bajrami. Është një xhami që u ndërtua me vullnetin e banorëve apo besimtarëve të kësaj lagje dhe është ndërtuar në një kohë rekord brenda një viti”, tha Nesimi.
Ndërkaq, nga Këshilli organizativ thonë se xhamia u përfundua me ndihmën e banorëve. “Xhamia filloi të ndërtohet në muajin mars të vitit 2016 dhe është ndërtuar me kontributin e vet popullatës, institucioneve dhe falë zotit arritëm ta ndërtojmë, ka ndihmuar shumë edhe popullata”, tha Taip Bajrami, nga familja nga Këshilli iniciativ për ndërtimin e xhamisë. Ndryshe, së bashku me dy xhamitë e tjera, kjo është xhamia e tretë në Reçicë të Madhe, të cilat do të jenë në shërbim të besimtarëve të fesë Islame për të kryer obligimet dhe ritet e tyre fetare. (koha.mk)