PËRBËRËSIT:
1 peshk rreth 600 g
1 patëllxhan
1 kungulleshkë
2-3 qepë të njoma, vetëm pjesën e bardhë
2 karota
2 domate
1 argjinare
3-4 thelpinj hudhra
pak majdanoz
pak rigon
kripë dhe piper i zi
pak vaj ulliri ekstra i virgjër
PËRGATITJA: Peshkun blijeni të papastruar nga të brendshmet pasi për t’i hequr ato do të përdorim një tjetër teknikë; nuk do t’i heqim nga barku, por nga kurrizi i tij. Atëherë pastroni peshkun nga luspat dhe me një thikë të mprehur mirë bëni një prerje në kurrizin e tij, derisa të prekni shiritin e halave. Domethënë filloni nga koka deri te bishti, duke lënë vetëm 3 gisht te bishti pa prerë. Shoqërojeni thikën përgjatë gjithë shiritit të halave sikur po e sfiletoni peshkun, por pa shkuar shumë thellë në mënyrë që mos të çani pjesën e barkut. Pritini kockën e shiritit të halave si në fillim te koka e peshkut ashtu edhe te bishti. Tërhiqni me kujdes komplet shiritin e halave. Tani pastroni të brendshmet e tij duke bërë kujdes siç ju thashë edhe më sipër mos të çani pjesën e barkut. Shpëlaheni mirë dhe lëreni të kullojë mënjanë. Ndërkohë prisni të gjitha perimet në kubikë dhe vendosini të kaurdisen veçmas patëllxhanët me kungulleshkën, karotat, qepën me pak vaj ulliri. Në një tjetër enë vendosni të kaurdisen argjinarja e prerë hollë me domatet. Kur të jenë gati përbërësit bashkojini bashkë, shtoni kripë, aromatizojini me hudhra të prera në feta, rigon, majdanoz të grirë imët dhe piper të zi. Përziejini me kujdes që mos të prishni formën e perimeve. Kripni peshkun dhe mbusheni me perimet. Mbulojeni me një letër alumini dhe vendoseni të piqet në furrën e nxehur më parë në 200° për rreth 15 minuta. Më pas hiqjani letrën e aluminit dhe lëreni dhe 5-1o minuta të tjera.