Rishpërndarja e re e të hyrave dhe të dalave ka për qëllim të harmonizojë kërkesat në rritje për rimëkëmbje të ekonomisë të shkaktuar nga pandemia. Andaj edhe parashikohet të rriten si të ardhurat – ashtu edhe shpenzimet nga arka e shtetit
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 10 qershor – Rishpërndarja e re e të hyrave dhe të dalave ka për qëllim të harmonizojë kërkesat në rritje për rimëkëmbje të ekonomisë të shkaktuar nga pandemia. Andaj edhe parashikohet të rriten si të ardhurat – ashtu edhe shpenzimet nga arka e shtetit. Me fjalë të tjera, rritja e investimeve kapitale dhe vazhdimi i përkrahjes për biznesin do të jenë ndër pjesët kryesore të rebalancit apo rishikimit të buxhetit. Njëherësh, parashikohet rritje e madhe e harxhimeve nga arka e shtetit me rishikimin apo me rebalancin qeveritar. Ekzekutivi pritet të harxhojë 4 miliardë e 370 milionë euro apo 345 milionë euro më shumë se parashikimet fillestare për këtë viti. Planifikohet që në emër të tatimeve të ndryshme, akcizave, doganave e kështu me radhë – nga qytetarë dhe biznesi të grumbullohen 162 milionë euro më shumë. Kështu, të ardhurat do të duhet të rriten nga 3 miliardë e 450 milionë euro në 3 miliardë e 600 milionë euro. Do të rritet edhe minusi apo deficit në buxhetin e shtetit në 751 milionë euro apo nga 4.9 për qind – në 6.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Gropa në buxhet do të mbulohet edhe me huazime të reja brenda dhe jashtë vendit prej 300 milionë euro. Njëherësh, parashikohet rritje e arkëtimeve në buxhet prej 4.7 për qind, dhe të shpenzimeve prej 8.6 për qind. Këtë vit parashikohet rritje ekonomike prej 4.1 për qind, rritje e eksportit për afër 10 për qind, ulje e papunësisë në 15.8 për qind. Do të ketë më shumë të holla edhe për masat për zbutjen e pandemisë, për pagesën e regresit për pushim për administratën apo K-15, për shëndetësi, bujqësi, kategoritë e prekura sociale etj. Në ndërkohë, qeveria në mbledhjen e së martës mbrëma e miratoi rebalancin që pritet të dorëzohet në Parlament për miratim. Ministri i Financave, Fatmir Besimi, thotë se stimulimi fiskal për ekonominë dhe qytetarët do të duhet të vazhdojë edhe më tej deri në rikuperimin e tërësishëm ekonomik, dhe kthimin e ekonomisë në rrugën e rritjes ekonomike. Njëherësh, sipas tij, në drejtim të rritjes së investimeve kapitale në buxhet, është realizuar rishpërndarja e shpenzimeve me pjesëmarrjen më të madhe të shpenzimeve kapitale në shpenzimet e përgjithshme.
“Rritja prej 26.9 për qind e shpenzimeve kapitale është rezultat i sigurimit të mjeteve të nevojshme për realizimin e një pjesë të masave qeveritare, që ndërlidhen me kreditë prej 0 për qind kamatë të Bankës Zhvillimore për sektorët më të goditur si turizmi, zanatet, hoteleria, transporti… “, thekson ministri Besimi. Sipas tij, tek shfrytëzuesit buxhetor janë planifikuar edhe sigurimi i mjeteve shtesë për investimet kapitale për rikonstruimin e enteve publike shëndetësore, në fushë e mbrojtjes shëndetësore, infrastrukturës rrugore, rritjes së mjeteve për zhvillim rural etj. Në buxhet parashikohen edhe mjete për zhvillim të gjelbër për investime të ndryshme, si dhe plani për financimin e rritjes së përshpejtuar që do të mundësojë investime dhe vende të reja të punës, i cili do të prezantohet së shpejti. Kryeministri Zoran Zaev ndërkohë thotë se bëhet fjalë për rebalanc produktiv, i cili po ndjek gjendjen ekonomike, ku është bërë nikoqirllëk me mjetet publike dhe angazhim maksimal për ballafaqimin me pandeminë.
Sipas tij, ekonomia është stabile dhe do të rritet. Parashikimet qeveritare për rritje ekonomike mbeten 4.1 për qind edhe me rebalancin e buxhetit, ndërsa ambienti i volitshëm ndërkombëtar dhe procesi i imunizimit masovik në vend, pritet të ndikojnë pozitivisht edhe në besimin e investitorë ve vendor. Në kë të drejtim, investimet do të kenë rol të rëndësishëm në intenzivimin gradual të ekonomisë. (koha.mk)