“Në qoftë se vjen një investitor në Gostivar, edhe thotë dua të hap fabrikë, e vetmja gjë që mund të ndihmojë komuna është t’ia gjejë vendin dhe të sigurojë infrastrukturën, gjërat tjera të gjitha për zhvillimin e kompanisë të tij duhet ti bëjë me Qeverinë. Kështu kanë ardhur plotë të interesuar mërgimtarë, të cilët kanë dashur të investojnë në Gostivar dhe kur i kemi dërguar në Qeveri, nuk janë kthyer më”, thotë Taravari
Urim HASIPI
Gostivar, 21 janar – Ky vit do të jetë një vit zhvillimor i Gostivarit. Kështu thotë kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, i cili vlerëson se edhe gjatë këtij viti, komuna që drejton ai, do të jetë në piedestal sa i përket projekteve të cilët janë paraparë për modernizimin dhe zhvillimin e qytetit të Gostivarit. Sa u përket projekteve për infrastrukturë moderne dhe mjedis të pastër, Komuna e Gostivarit ka paraparë 68 projekte, vlera e të cilëve kap shifrën e 8 milionë eurove, ndërsa në ujësjellës dhe kanalizim janë paraparë 21 projekte kapitale që do të realizohen me buxhet prej 11 milionë euro. Për arsim, tregon Taravari, janë ndarë mbi 400 mijë euro derisa për kulturë – 3 milionë denarë.
“Profesionistët, buxhetin e Komunës së Gostivarit e konsiderojnë si buxhet zhvillimor për arsye se 3 milionë euro si asnjëherë deri më tash janë të parapara për investime kapitale, për riparim të shkollave, riasfaltim të rrugëve, kanalizime, ujësjellës, çerdhe të reja, kështu që vite më parë, investimet maksimale kanë qenë 1 milion e gjysëm dhe shpresoj që në vitin 2020, edhe pse është vit zgjedhor, do të kemi pak pengesa në shpallje të cilat i bëjmë për investime. Shpresoj që ta bëjmë përsëri realizimin e buxhetit sikurse në vitin 2019, të kemi realizim buxheti aq sa kemi paraparë, pra 3 milionë euro të jenë investuar me projekte të ndryshme të parapara”, deklaroi Taravari.
Në Këshillin e Komunës së Gostivar ka kaluar tashmë themelimi i një ndërmarrje publike regjionale për komunat e Pollogut. Ndërkaq, zgjidhja me problemin e deponisë Rusino, vazhdon të mbetet kancer i Gostivarit edhe pse disa herë u premtua – ky problem vazhdon të jetë i pazgjidhur. Por, Taravari e hedh topin tek Qeveria. “Themelimin e kompanisë për mbeturina e cila do jetë e rajonit të Pollogut e kemi themeluar si regjion i Pollogut të gjithë nëntë komunat dhe natyrisht të gjitha participojmë dhe financiarisht aty. Në lidhje me deponinë Rusino, si komunë më nuk kemi kompetenca. Para një vit e gjysëm, Qeveria si shumicën e kompetencave që na merr, na i mori edhe ato kompetenca edhe tash çdo problem që ndodhë në deponinë Rusino duhet të adresohet direkt në Qeveri, respektivisht në Ministrinë për Ekologji”, tha Taravari.
Ai edhe këtë herë nuk la pa thumbuar pushtetin qendror duke cilësuar se është duke e penguar Komunën e Gostivarit në çdo sferë. Ai nënvizon se me pushtetin qendror janë në një luftë të vazhdueshme, ndërsa njëkohësisht bëri të ditur se Qeveria është duke penguar edhe investitorët. “Në qoftë se vjen një investitor në Maqedoni ose konkretisht në Gostivar, edhe thotë dua të hap fabrikë, e vetmja gjë që mund të ndihmojë komuna është t’ia gjejë vendin dhe të sigurojë infrastrukturën, gjërat tjera të gjitha për zhvillimin e kompanisë të tij duhet ti bëjë me Qeverinë. Kështu kanë ardhur plotë të interesuar mërgimtarë, të cilët kanë dashur të investojnë në Gostivar dhe kur i kemi dërguar në Qeveri, nuk janë kthyer më. Shumë herë jemi në luftë speciale me Qeverinë dhe çdo ditë në Komunën e Gostivarit ka inspeksione, revizione, polici të ndryshme, pengesa të ndryshme…”, nënvizoi Taravari. Në vitin 2020, Komuna e Gostivarit ka paraparë mbi 120 projekte në disa sfera si infrastrukturë, ujësjellës e kanalizime, arsim dhe kulturë, të cilët kapin vlerën afër 20 milionë euro. (koha.mk)