Realiteti virtual dhe operacionet në trurin e fëmijëve

17

Spitali i Stanfordit për Fëmijët është duke përdorur pajisjet e Realitetit Virtual për të ekzaminuar trurin e fëmijëve para ndërhyrjeve të mëdha neurokirurgjike. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Deana Mitchell sjellë hollësitë.

Kontrollimi i trurit përmes pajisjeve të realitetit virtual tingëllon si një ide fantastiko-shkencore, por kjo është bërë realitet në Spitalin e Stanfordit për Fëmijët, falë një teknologjie të re të quajtur Teatri Kirurgjik.

Neurokirurgët e përdorin atë për të praktikuar para operacioneve të mëdha, dhe para pacientëve për të kuptuar më mirë trajtimin e tyre.

“Rreth 18 muaj më parë, Aleksi filloi të përjetonte kriza të papritura epileptike. Ne erdhëm këtu për trajtim, ai u operua nga Dr. Grant dhe ne jemi të lumtur që tani ai është shumë mirë”, tha Jorge Borbolla, babai i Aleksit.

Dr. Grant dhe kolegët e tij përdorin teknologjinë e re, Teatri Kirurgjik, për trajnim para dhe gjatë operacioneve të mëdha.

“Me të vërtetë u desh një teknologji si Teatri Kirurgjik për të bërë të mundur skanimin tredimensional të zonave operuese të pacientëve dhe studimin e tyre më të hollësishëm”, tha Dr. Gerald Grant, neurokirurg pediatrik në Spitalin e Stanfordit për Fëmjët.

Një teknik i teknologjisë Teatri Kirurgjik, punon në spital për të shndërruar skanimet e ndryshme mjekësore në një përvojë të realitetit virtual.

“Unë mund të futem në këto skanime dhe mund të ngjyros këto pjesë të plagës. Ky proces e bën shumë më të qartë imazhin”, thotë Tatiana Jansen, drejtuese e programit të realitetit virtual.

“Kjo na ndihmoi ta kuptonim më mirë se çfarë po ndodhte, ku do të vendoseshin elektrodat dhe se si dukej truri në realitet”, tha Jorge Borbolla, babai i Aleksit.

Teknologjia e realitetit virtual, po i bën operacionet reale më të lehta për fëmijët, familjet e tyre dhe mjekët.

Comments are closed.