Ecuria negative që u vulos me disfatën në “El Clasico”, e cila solli edhe shkarkimin e trajnerit Julen Lopetegui te Real Madrid, ka hapur një spirale diskutimi mes dëshirave të kampit madrilen dhe refuzimeve. Nga pista Konte është kaluar te Roberto Martinez. Në kampin madrilen, emri i trajnerit aktual të Belgjikës duket se ka fituar terren në listën e dëshirave të “Merenges” për të pasuar ish-teknikun e kombëtares së Spanjës. E në fakt, mund të ketë histori të ngjashme, që Real të rrëmbejë një tjetër trajner përfaqësueseje.
“Kundërshtia” – Mirëpo, krahas dëshirave të drejtuesve apo edhe opinionit fillestar të krijuar për drejtimin e skuadrës nga Martinez, ka një fakt që mund të bëhet pengesë kryesore për të: Pasaporta. Roberto Martinez është nga Katalunja dhe ky element në origjinën e tij, mund të bëjë që të dështojë mundësia për të drejtuar Realin. Kjo lidhet me aspektin politik të konfliktit me Katalunjën, pa përmendur edhe rivalitetin e madrilenëve me skuadrat nga ky rajon.
Federata – Pas zërave të kësaj merkatoje në lidhje me faktin që Martinez të drejtojë Realin, ka reaguar përfaqësuesi i federatës së futbollit të Belgjikës. “Nuk komentojmë kontratën që federata ka me bashkëpunuesit e saj, duke e konsideruar diçka private. Nëse një klub ka interesa për Martinez, duhet që më parë të arrijë akord me federatën belge”, ka deklaruar zëdhënësi i saj për “Marca”.