Stuhia që përfshiu tregun e transferimeve këtë verë, me PSZH-në që hapi librin e tij të çeqeve, nuk ka qenë e mjaftueshme për Unai Emery që të ketë në dispozicion “stafin” më të vlefshëm në botë. Të paktën sipas të dhënave të portalit të specializuar “Transfermarkt”, i cili vendos 7 skuadra të tjera përpara parisienëve. Ndryshe, është Real Madridi, në krye të kësaj renditjeje. Pas daljeve të Morata, Hames, Danilo, Mariano, Koentrao dhe Pepe, dhe nënshkrimeve të Teo dhe Keballos, rikthimit nga huazimi të Vallejo, Llorente dhe Majoral, vlera e ekipit të bardhë ka rënë me 48, 2 milionë euro, duke mbetur në shifrën totale të 743.8 milionë eurove. Derisa, më e habitshme, pa dyshim, është pozicioni i PSZH-së: edhe nëse ka nënshkruar për 238 milionë (180 të Mbappe do t’i paguajë brenda një viti) dhe ka shitur për 65 milionë euro, djemtë e Emery janë të tetë në këtë renditje. PSZH-ja kushton 521.15 milionë euro, dhe pozicionohet pas Barçës (706.5 milionë euro), Çellsi (614.4), Siti (588.75), Bajern Munih (581.4), Mançester J. (567.75) dhe Juventus (538.6). “Top 10” e mbyllin Atletico Madrid (511 milionë euro) dhe Totenhem (505.25 milionë euro). Në këtë renditje janë gjithsej katër skuadra angleze, tre spanjolle, një gjermane, një italiane dhe një franceze. Nga shuma e të gjithave përftohet shifra e 5,878,600,000 euro, që do të thotë një mesatare prej 587,860,000 euro për secilën.