Është vetëm 21 vjeç dhe mund të jetë mbreti i ri i merkatos evropiane. Gjermani Timo Verner ka tërhequr vëmendjen e Realit të Madridit pas paraqitjeve të tij pozitive me Kombëtaren dhe skuadrën e Laipzig. Pasi debutoi me “Die Manchaft” në Kupën e Konfederatave, sulmuesi i ri nuk di të ndalet më. 4 gola gjatë këtij sezoni me Laipzig dhe një “raketë” e vërtetë në majën e sulmit të Gjermanisë. “Los Blancos” dhe presidenti Florentino Perez sigurisht që nuk kanë qëndruar duarkryq teksa shikojnë rritjen e pabesueshme të talentit gjerman. Reali ka nisur fushatën diplomatike për të shtruar rrugën drejt merkatos së verës së ardhshme. Në ndeshjen Gjermani-Norvegji klubi spanjoll kishte dërguar emisarë në stadium dhe Verner sigurisht që nuk zhgënjeu pasi shënoi 2 gola në fitoren 6-0.
Ai është një nga simbolet e Laipzigut, klub që ka investuar shumë tek të rinjtë dhe vetë Verner e ka pranuar se vendimi më i zgjuar i karrierës së tij ka qenë pikërisht nënshkrimi i kontratës me klubin më të urryer në Gjermani. I rritur në ekipet zinxhir të Shtutgartit, 21-vjeçari bëri një zgjedhje të vështirë duke u transferuar dy sezone më parë te debutuesit, por brenda pak kohëve ai është transformuar në një nga sulmuesit më produktivë të Gjermanisë. Kombëtarja dhe Kupa e Botës janë objektivi i tij kryesor sepse “Die Manchaft” ka nevojë urgjente për një qendërsulmues të besueshëm dhe Verner mesa duket do të marrë mbi shpatullat e tij trashëgiminë e Miroslav Kloses. Në këtë mënyrë, Reali i Madridit është gati të bëjë çmenduri për djalin e artë të futbollit gjerman duke i paraprirë ankandit të merkatos verore.