Gjatë verës së këtij viti, dy nga sportistët më të famshëm në botë, Lebron James dhe Cristiano Ronaldom, vendosën të largohen nga klubet e tyre. Asnjëra prej dy ish-klubeve të këtyre dy sportistëve nuk kanë arritur rezultate po aq të mira sa kishin para largimit të tyre.
Ronaldo u transferua në Juventus nga Real Madridi gjatë afatit kalimtar të verës për 112 milionë euro, ndërsa James u largua nga Cleveland Cavaliers për t’iu bashkuar skuadrës së Los Angeles Lakers.
Që nga largimi i Lebronit, Cavaliersat kanë mbetur në pozitën e fundit në tabelën e klubeve të lindjes së NBA dhe trajneri i tyre është shkarkuar si pasojë e rezultateve në gjashtë ndeshjet e para të këtij sezoni, në asnjë prej të cilave nuk ka arritur fitore.
Në anën tjetër, as Real Madridi nuk ka kaluar nëpër një periudhë më të mirë se Cavaliers që nga largimi i yllit të skuadrës. “Los Blancos” kanë një ecuri prej pesë ndeshjeve pa asnjë fitore, kanë thyer rekordin për më së shumti minuta të kaluar pa shënuar asnjë gol si dhe trajneri i tyre është shkarkuar pas disfatës që përjetuan nga Barcelona me rezultat 5-1.
Megjithatë, dallimi mes këtyre dy sportistëve qëndron te forma në të cilat janë duke kaluar ekipet e tyre aktuale. Klubi i ri i Lebronit i ka arritur vetëm dy fitore nga gjithsej shtatë ndeshjet e zhvilluara në këtë sezon të NBA.
Ndërsa, Ronaldo është duke pasur mjaft shumë sukses me Juventusin, për të cilët i ka shënuar shtatë gola deri më tani. Juventusi ndodhet në pozitën e parë të tabelës së Serisë A, me gjithsej gjashtë pikë më shumë se klubi në pozitën e dytë, Interi. “Zonja e Vjetër” gjithashtu pozicionohet edhe në pozitën e parë të grupit H të Ligës së Kampionëve.