Pasi që Kylian Mbappe duket se nuk do të jetë në dispozicion gjatë afatit kalimtar të verës, përqendrimi i Real Madridit për këtë merkato ka kaluar te ylli i Liverpoolit, Sadio Mane.
Sulmuesi i Liverpoolit, Sadio Mane, ka qenë i spekuluar për një transferim potencial te gjiganti i La Ligës që një kohë, shkaku i paraqitjeve të tij të mira me gjigantin anglez në Premierligë dhe Ligë të Kampionëve, transmeton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.
Pasi që Real Madridit i është bërë e qartë nga Paris Saint-Germaini se s’do t’i shitet Kylian Mbappe këtë verë, drejtuesit e Los Blancos tani kanë kthyer vëmendjen te Mane, shërbimet e së cilit shpresojnë t’i sigurojnë për sezonin e ardhshëm.
Le 10 Sport raporton se trajneri Zinedine Zidane e sheh Manen si transferimin e përsosur për sezonin e ardhshëm, përderisa klubi madrilen pret për transferimin e Mbappes, kontrata e së cilit në Parc des Princes skadon në vitin 2022.
Mane i ka shënuar 14 gola dhe ka kontribuar edhe me shtatë asiste të tjera në 26 ndeshjet e tij të Premierligës këtë sezon, që ka qenë e suspenduar shkaku i koronavirusit.
Ndërkohë, mediumet e tjera raportojnë edhe për interesimin e Real Madridit për yllin e talentuar Erling Haaland, i cili megjithatë u transferua në Borussia Dortmund vetëm pak muaj më parë, në janar.
Real Madridi ka qenë në kërkim të një sulmuesi për ta zëvendësuar Cristiano Ronaldo që kur portugezi kaloi në Juventus në vitin 2018.