Reali i Madridit ka kohë që mendon për sezonin e ardhshëm, sepse sezoni aktual është mbyllur në mënyrë të dështuar, duke mos fituar asnjë trofe dhe duke dalë shumë shpejt nga gara, në çdo kompeticion.
Për këtë arsye, Florentino Perez kërkon goditje të mëdha në merkato, për të rikthyer entuziazmin te tifozët, që këtë sezon kanë qenë gjithnjë e më të paktë në Bernabeu.
Ëndrra e madrilenëve quhet Kylian Mbappe, kampioni i botës që plotëson çdo kriter, pasi është i ri, lojtar klasi, çmend tifozët dhe shënon si Messi, duke qenë i vetmi që ka kapur 30 golat këtë sezon në kampionatet kryesore në Europë, përveç argjentinasit.
Megjithatë, pas fitores së PSG-së të dielën ndaj Monacos, ku Mbappe shënoi 3 gola, ka qenë vetë sulmuesi ai që i ka vënë vulën të ardhmes së tij.
“Jam pjesë e një projekti madhor te PSG dhe do të qëndroj, pa diskutim. Më vjen mirë që Zidane është kthyer te Reali, por do ta shoh si tifoz”.