Sipas asaj që publikohet në mediat spanjolle, presidenti i klubit madrilen, Florentino Perez ka arritur marrëveshje për shitjen e të drejtave të imazhit të klubit ne internet te kompania amerikane “Providence Equity Partners” për 10 vitet e ardhshme. Reali Madrid i shiti këto të drejta për një shifër prej 500 milionë Euro tek “Providence Equity Partners” që zotërojnë 1/4 e Soccer United Marketing dhe të drejtat ekskluzive të Major League Soccer. Sipas të dhënave të ComScore, të publikuara në dhjetor të vitit 2016, faqja zyrtare e internetit e Realit të Madridit është më e vizituara në botë e këtij lloji, ku numri i përdoruesve arrin deri në 1.3 milionë persona. Kjo marrëveshje i jep më shumë pikë Florentino Perez që në fund të sezonit do të garojë sërish për të mbajtur postin e tij në krye të Realit të Madridit në zgjedhjet që do të bëhen në klub. Por ajo që ka më shumë rëndësi për Los Blancos është se shifra prej 500 milionësh do ta ndihmojë akoma më shumë klubin për të ndërhyrë në merkaton e transferimeve, ku disa emra që përmenden më shumë për tu transferuar tek kampionët e botës, është Paolo Dybala, Aubameyang, Thibaut Courtois e disa të tjerë.