Presidenti Florentino Perez është prej vitesh tashmë në kërkim të një qendërsulmuesi tipik, por Karim Benzema vazhdon të ruajë vendin e tij pasi pëlqehet si nga presidenti ashtu edhe nga trajneri Zidane. Gjithsesi, me Benzema që po vuan të ruajë vazhdimësinë në nivelet e larta, Perez është në kërkim të një sulmuesi dhe, për momentin, nuk ka më të mirë se Kane në treg. 24-vjeçari ka shënuar 11 gola gjatë sezonit të ri në të gjitha kompeticionet për Tottenham dhe duket se do ta fitojë për të tretën herë radhazi Këpucën e Artë të Premier League. Që prej 28 shkurtit të 2016, ylli i lindur në Londër ka shënuar plot 44 gola në të gjitha kompeticionet. Megjithëse është akoma herët në karrierën e tij, sulmuesi i përfaqësueses angleze ka potencialin për t’u bërë një legjendë e këtij sporti dhe Real Madrid është gati të paguajë shumë para për ta sjellë në Bernabeu.