Kompeticioni më i rëndësishëm europian për klube, Champions League, do të kthehet me ndeshjen e parë të fazës gjysmëfinale. Në “Santiago Bernabeu” do të luhet takimi i parë i “Euro-Derbit” mes Real Madrid dhe Atletico Madrid. Ky do të jetë viti i tretë radhazi që këto dy formacione do të përballen në këtë komepticion, me “Los Blancos” që kanë dalë fitimtarë në ndeshjet e mëparshme.
Real Madrid
Super yjet e Zidane nuk kanë qenë në formën më të mirë të mundshme në javët e fundit. Atyre u është dashur pak fat për të kaluar Bayern Munich në ndeshjen e kthimit të çerekfinaleve dhe pak ditë më vonë janë ndëshkuar në kampionat nga Barcelona. Pavarësisht nga kjo, Real ka humbur vetëm një nga 15 ndeshjet e fundit të luajtura në të gjitha kompeticionet, gjë që tregon se ata dinë ta marrin rezultatin kur duhet. Gjithsesi, skuadra e Zidane do të kishte më pak probleme nëse do të kishte pak stabilitet në mbrojtje. Në fakt, ata kanë arritur të mbyllin vetëm 3 nga 12 ndeshjet e fundit të luajtura në shtëpi pa pësuar gol.
Atletico Madrid
Lojtarët e Diego Simeones po paraqiten shumë më mirë në gjysmën e dytë të sezonit. “Colchoneros” kanë pasur shumë vështirësi në fazën e parë, duke përfunduar edhe jashtë zonës Champions në renditjen e La Liga-s, por gjërat kanë ndryshuar në 2017-ën dhe tani Atletico mban vendin e tretë në klasifikim. Një ecuri pozitive që ka ardhur edhe falë mbrojtjes së pakalueshme, që ka mbajtur të paprekur rrjetën në 10 nga 14 ndeshjet e fundit të luajtura në të gjitha kompeticionet. Atletico ka humbur vetëm katër ndeshje që nga fillimi i 2017-ës, por të gjitha këto kanë ardhur në shtëpi. Ata janë të pamposhtur në 15 transfertat e fundit, gjatë të cilave kanë marrë 8 fitore dhe 7 barazime.
Përballjet direkte
Real Madrid nuk ka humbur asnjë përballje europiane me Atleticon. “Los Blancos” kanë fituar të dy finalet në kohën shtesë. Ndërsa përballja e dyfishtë e zhvilluar në çerekfinale është vendosur nga një gol në takimin e kthimit të luajtur në “Bernabeu”. Gjithashtu, “Merengues” janë të pamposhtur në dy ndeshjet e kampionatit të luajtura kundër kushërinjve në këtë kampionat. Cristiano Ronaldo ka realizuar një tregolësh në fitoren 3-0 të marrë në “Vicente Calderon” në nëntor të 2017-ës. Ndërkohë, një gol i Griezmann në minutat e fundit të ndeshjes i ka dhuruar Atleticos një barazim 1-1 në takimin e luajtur në “Bernabeu” 8 prillin e kaluar.